Lidhje

Norvegji: Rrëzohet helikopteri me 13 veta në bord


Një helikopter me 13 persona në bord, është rrëzuar dhe shkatërruar tërësisht në bregdetin perëndimor të Norvegjisë. Ekipet e shpëtimit nuk kanë gjetur ende ndonjë të mbijetuar.

Helikopteri po kthehej nga një platformë e nxjerrjes së naftës e kompanisë Statoil në Detin e veriut, kur u rrëzua.

“Helikopteri është shkatërruar tërësisht” tha një zëdhënës i Qendrës Bashkërenduese të Shpëtimit për Norvegjinë Jugore.

Njëmbëdhjetë paragjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit po udhëtonin me helikopter në kohën e rrëzimit, thanë zyrtarët e kompanisë dhe ekipet e shpëtimit.

“Nuk kemi gjetur ende të mbijetuar. Ende po kërkojmë” i tha agjenicë së lajmeve Reuters Morten Kronen, zyrtar lokal policor që bashkërendon operacionin.

Pamjet e transmetuara nga televizionet norvegjeze NRK dhe TV2, tregojnë shtëllunga tymi mbi një zonë plot me ishuj të vegjël, ndërsa copëza të mbetjeve me ngjyrë të kuqe shihen gjithandej nëpër shkëmbinj.

Zona, afër Bergenit, që është qyteti i dytë më i madh në Norvegji, është zonë e ngarkuar me fluturime te helikopterëve që udhëtojnë për dhe nga platformat e naftës.

Kryeministrja Erna Solberg, tha në rrjetin social twitter se lajmi për rrëzimin ishte “i tmerrshëm”.

XS
SM
MD
LG