Qeveria norvegjeze tha se është duke u bërë përparim në negociatat mes përfaqësuesve të presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro dhe udhëheqësit të opozitës Juan Guaido. Ministria e Jashtme tha se të dyja palët "kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara" drejt një zgjidhjeje të negociuar për krizën politike në Venezuelë.
Ministri venezuelian i Punëve të Jashtme Jorge Arreaza në një postim në Twitter tha se ai vlerëson përpjekjet e Norvegjisë për paqen.
Zoti Arreaza tha gjithashtu se të dyja palët "kanë treguar gatishmëri për të lëvizur drejt një zgjidhjeje të negociuar për krizën në Venezuelës".
Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro tha se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur dallimet e tyre.
"Mënyra e vetme është dialogu. U shpenzua shumë energji për të shkuar në Norvegji, pati disa muaj bisedimesh sekrete, të kujdesshme dhe ne duhet të vazhdojmë kështu, të jemi të kujdesshëm, u deshën disa muaj për të arritur në Norvegji 10 ditë më parë", tha Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro.
Bisedimet zhvillohen mes tensioneve në rritje mes Presidentit Maduro dhe Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, i cili u vetëshpall president i përkohshëm i vendit në janar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe rreth 50 vendeve të tjera.
Zoti Guaido pranoi të bisedonte në Norvegji pasi fillimisht kishte thënë se çdo dialog duhet të rezultonte në dorëheqjen e Maduros dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Nuk janë publikuar hollësitë e raundit të dytë të bisedimeve në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, të cilat kanë për synim gjetjen e zgjidhjeve për krizën politike dhe ekonomike që ka përfshirë vendin.
Facebook Forum