Lidhje

SHBA: Mbi 50 sulme të parandaluara


Drejtori I NSA, Keith Alexander tha në Kongres dje se programet e përgjimit që u bënë publike kohët e fundit janë jetike për mbrojtjen e vendit

Zyrtarët e lartë të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe të Byrosë Federale të Hetimeve thonë se programet e përgjimit që u publikuan kohët e fundit kanë ndihmuar në parandalimin e më shumë se 50 sulmeve terroriste në 20 vende të botës. Zyrtarët mbrojtën me forcë këto programe përpara Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, duke thënë se ato janë me rëndësi thelbësore për sigurinë kombëtare dhe se nuk kanë shkelur asnjë ligj apo të drejtë të privatësisë së amerikanëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Cindy Saine, na informon nga Kongresi.

Zv/drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Sean Joyce, përshktoi katër komplote terroriste që u parandaluan në saje të programeve tepër sekrete të përgjigjimit. Joyce tha se NSA zbuloi një prej komploteve, ndëkohë që monitoronte një ekstremist të njohur në Jemen, i cili ishte në kontakt me një operativ në Kansas City të Missourit.

"Ne zbuluam nëpërmjet përgjimeve elektronike se ata ishin në fakt në fazën fillestare të planeve për vënin e një bombe në ndërtesën e Bursës së Nju Jorkut”.

Joyce tha se personat e implikuar në komplot u arrestuan dhe më pas u dënuan. Ai tha gjithshtu se NSA interceptoi një e-mail nga një terrorist në Pakistan në vitin 2009 që i çoi autoritetet tek Najibullah Zazi, i cili më pas pranoi pjesëmarrjen në komplot për hedhjen në erë të sistemit të metrosë së Nju Jorkut.

Joyce tha se në kuadrin e këtij programi u zbulua se shtetasi amerikan, David Headley, në Çikago, kishte patur lidhje me sulmet terroriste në Bombei të Indisë në vitin 2008, si dhe me një komplot për hedhjen në erë të zyrave të një gazete daneze që botoi një karikaturë të Profetit Muhamed. Joyce tha se FBI-ja do t’u japë hollësi për më shumë se 50 komplote të parandaluara komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në një sesion me dyer të mbylluara, por jo një një sesion të hapur, kjo për arsye të sigurisë.

Drejtori i NSA-së, Keith Alexander, i tha komisionit të Kongresit se zyrtarët amerianë të zbulimit u kritikuan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 “sepse nuk kishin bërë lidhjen” e copëzave të informacionit dhe theksoi se programet e zbulimit po shërbejnë për të bërë këtë lidhje. Alexander u përpoq t’u përgjigjej shqetësimeve për privatësinë e qytetarëve, duke thënë se programet e përgjimit janë të kufizuara dhe të kontrolluara si duhet gjatë gjithë procesit.

"Më lejoni të them në fillim se preferoj më shumë të jem këtu sot për të debatuar këtë çështje se sa në një situatë kur do të përpiqesha të shpjegoja se si ne dështuam të parandalojmë në tjetët ngjarje si ajo e 9 shtatorit”.

Zyrtarët e zbulimit theksuan se asnjë thirrje telefonike nuk mund të monitorohet pa urdhër të gjykatës. Por disa ligjvënës shprehën shqetësimin për mbledhjen e thirrjeve telefonike të qytetarëve të thjeshtë amerikanë. Kongresisti demokrat James Himes tha se zbulimi i sekreteve kohët e fundit nga kontraktori i NSA-së, Edward Snowden, vazhdojnë ta shqetësojnë.

"Këto më shqetësojnë për faktin e shtrirjes së grumbullmit të informacionit. Ato më shqetësojnë seps mendoj se kjo është historikisht një ngjarje e pashembullt për sa i përket mundësisë së mbledhjes së informatave për të gjithë qytetarët amerikanë”.

Një tjetër kongresit, demokrati Adam Schiff, sugjeroi se ndoshta duhen bërë ndryshime në klauzolat e Act Patriotik, në mënyrë që kompanitë e telekomunikacionit të mbledhin dhe të depozitojnë tabulatet telefonike të amerikanëve dhe jo qeveria dhe qeveria mund të kërkojë tabulatet telefonike të individëve të caktuar vetëm kur ka dyshime të mirëqëna për lidhje me komplote terroriste.

XS
SM
MD
LG