Lidhje

SHBA, thirrje për bashkëpunim ndëretnik në Maqedoni


Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland ishte sot për vizitë në Shkup, ku bisedoi me autoritetet maqedonase mbi reformat e nevojshme të këtij vendi, për marrëdhëniet ndëretnike dhe çështje të tjera me interes ndërshtetëror.

Victoria Nuland në Shkup
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Zonja Nuland tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin vizionin për një Maqedoni që shkon drejt mirëqenies dhe demokracisë; Ndërkohë kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se qeveria e tij me përkushtim do ta ndërtojë bashkëjetesën midis komuniteteve.

Shkupi është ndalesa e gjashtë në vizitën ballkanike të ndihmës-sekretares amerikane e Shtetit Victoria Nuland. Ajo u prit nga krerët shtetërorë, ndërsa pati takime edhe me drejtues politikë. Zonja Nuland ka biseduar me autoritetet e vendit për sigurinë, marrëdhëniet ndëretnike, synimet e Maqedonisë për integrimet euro-atlantike dhe për çështje të tjera.

Ajo tha se SHBA janë të kënaqua për investimet që kanë bërë mbi vizionin e integrimit të komunitetve në Maqedoni në aspektin politik, ekonomik të sigurisë

“SHBA mbështesin fuqimisht vizionin që nga Marrëveshja e Ohrit për një shtet që shkon drejt mirëqenies dhe demokracisë dhe përshëndesim përpjekjet për reformat e Maqedonisë në këtë drejtim”, tha Victoria Nuland.

Ajo shtoi se është me rëndësi që komunitetet të përparojnë së bashku.
Me kryeministrin e vendit kanë biseduar për mënyrat e përfshirjes më të madhe të rajoneve shqiptare në këtë integrim në Maqedoni dhe këtë, tha ajo, dëshirojmë ta bëjmë përmes investimeve dhe kompanive tona; dhe për të bërë më shumë për forcimin e integrimit ekonomik rajonal, sepse kjo, sipas zyrtares amerikane, do të sjellë fuqi, përparim, mirëqenie dhe zhvillim për të dy komunitetet.

Ajo bëri të ditur se SHBA inkurajojnë përpjekjet e të dy komuniteteve për bashkëpunimin dhe vendosjen e një standardi të artë, siç tha, në rajon për paqen, sigurinë, harmoninë dhe bashkëpunimin ndëretniik. “Kjo, do të bënte një Maqedoni të fuqishme.”, tha ajo.

“Ju keni një përgjegjësi për të bërë shembull në rajon se si komuniteti shqiptar dhe komuniteti maqedonas jetojnë në paqe dhe mirëqenie së bashku, dhe kjo kërkon shumë punë dhe angazhim”, tha zonja Nuland.

Por as zonja Nuland as kryeministri Gruevski nuk u ndalën tek zhvillimet e fundit në Shkup dhe në qytetet e banuara me shqiptarë të Maqedonisë, të përfshira në protesta gjatë javëve dhe ditëve të kaluara.

Nga ana e tij, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka theksuar pritjet e vendit të tij për një mbështetje të fuqishme të SHBA për marrjen e ftesës për anëtarësimin “e merituar shumë më parë”, siç u shpreh, në Aleancën veriatlantike. Ai tha se vendi do të vazhdojë reformat në të gjitha fushat e nevojshme:

“Do të vazhdojmë që me kujdes dhe përkushtim ta ndërtojmë bashkëjetesën dhe t’i forcojmë urat midis komuniteteve,” si tha kryeministri Gruevski.

Kryeministri maqedonas i quajti marrëdhënie midis SHBA-së dhe Maqedonisë si të shkëlqyera, mbështetur në deklaratën për partneritet strategjik dhe bshkëpunim të vitit 2008.

Ndërkohë, ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland bëri të ditur se SHBA fuqimisht e mbështesin zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë nëpërmjet bisedimeve në Kombet e Bashkuara dhe rrjedhimisht mbështesin edhe synimet euroatlantike të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG