Lidhje

Masa të forta sigurie mbrëmjen e Vitit të Ri


Njerëzit në mbarë botën po përgatiten për të pritur Vitin e Ri mes masave të ashpra të sigurisë. Turqia dhe Belgjika thonë se kanë zbuluar plane për sulme terroriste dhe Shtetet e Bashkuara thonë se janë duke i forcuar masat e sigurisë, pas paralajmërimeve për një sulm të planifikuar në truallin amerikan.

Nju Yorku është në fazat e fundit të përgatitjes për mbrëmjen festive të Vitit të Ri, e cila kulmon me rënien e lirë të një sfere gjigande kristali në mesnatë, në sheshin Times Square. Një milionë njerëz pritet ta ndjekin në vend këtë rit tradicional dhe mbi një miliardë të tjerë përmes televizionit në mbarë botën.

"Këtu gjen njerëz nga e gjithë bota, prandaj sheh të gjithë pasurinë dhe diversitetin e botës. Kështu psh, njerëz nga Gana kanë të afërm të tyre që jetojnë në Bronks dhe ata vijnë për të marrë pjesë në festime. Çdo pjesë e botës ka përfaqësues të vetët në New York. Kjo mendoj se është arsyeja që festimet e Vitit të Ri në Nju Jork ndiqen në të gjithë botën”, thotë Tim Tompkins, i Aleancës për Sheshin Times Square.

Zyrtarët e Nju Jorkut thonë se këto ditë në qytet do të ketë masa të forta sigurie, si vendosja e 6 mijë policëve rreth sheshit Times Square, por festimet do të vazhdojnë, megjithë kërcënimet.

Por në Bruksel mbrëmjet festive të Vitit të Ri dhe rituali i fishekziarreve me këtë rast janë anuluar, për shkak të kërcënimeve për sulm terrorist. Në Belgjikë jetonin katër nga autorët e sulmeve, që masakruan 130 njerëz më 13 nëntor në Paris. Këtë javë autoritetet kanë arrestuar dy persona të dyshuar për komplotimin e një sulmi në Bruksel. Megjithatë, banorët dhe vizitorët thonë se nuk do të struken nga frika.

"Unë isha në Paris javën pas sulmeve. Nuk mund t’i lejosh njerëz të tillë që të diktojnë mënyrën e jetesës. Pra, rreziku mund të ekzistojë kudo, por ai nuk ka për të m’i ndryshuar planet” -, thotë ky banor.

"Kërcënime ka akoma, edhe rreziqe. Prania e këtyre forcave në mbarë vendin dhe ajo çka shohim sot, tregon se duhet të jemi tepër vigjilentë, por kjo nuk na ndal që të festojmë Vitin e Ri”, thotë Ministri francez i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian.

Zyrtarët në Rio de Janeiro dje njoftuan planet për masa sigurie masive në plazhin e famshëm Copa Cabana të qytetit, ku do të mblidhen miliona vetë për festimin e Mbrëmjes së Vitit të Ri.

Australia është një nga vendet ku Viti i Ri mbërrin në fillim. Njerëzit mblidhen në Portin e Sidneit për të parë shfaqjen spektakolare të fishekzjarreve.

XS
SM
MD
LG