Lidhje

NYT: Menaxheri i fushatës Trump, lidhje me Yanukovych


Fushatës së kandidatit republikan Donald Trump po i duhet përsëri të mbrohet, këtë herë pas një artikulli me hollësi për lidhjet mes menaxherit të fushatës së tij, Paul Manafort dhe ish-presidentit pro-rus të Ukrainës.

Artikulli i botuar në gazetën “The New York Times” të dielën në mbrëmje, bën publike ekzistencën e librave sekrete të llogarive që tregojnë se 12.7 milionë dollarë në kesh ishin të destinuara për Manafortin.

Manafort kishte punuar për vite me radhë si konsulent për presidentin Viktor Yanukovych dhe partinë e tij, para se udhëheqësi pro-Kremlinit të përmbysej në vitin 2014, mes akuzave për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik.

Hetuesit ukrainas nuk e dinë nëse zoti Manafort i mori pagesat, por besojnë se ato ishin pjesë e një “sistemi të paligjshëm të parave të papërfshira zyrtarisht në llogari”, njofton gazeta.

Manafort mohon të ketë bërë shkelje

Zoti Manafort mohoi të ketë marrë pagesa me para në dorë nga puna e tij në Ukrainë, duke thënë në një deklaratë të siguruar nga televizioni MSNBC se akuza është “e pabazë, qesharake dhe pa kuptim”.

"Unë nuk kam marrë asnjëherë ‘pagesë me para në dorë jashtë llogarive’ siç ‘njofton’ në mënyrë të rreme “The New York Times” dhe as nuk kam punuar ndonjëherë për qeveritë e Ukrainës ose Rusisë”, tha zoti Manafort.

Zoti Manafort, që ka punuar për disa udhëheqës të huaj të debatueshëm, pranoi se kishte punuar si “profesionist fushatash” në “fushata të vendeve të tjera”, por tha se puna e tij në Ukrainë përfundoi në vitin 2014.

Këshilltarët e kandidates demokrate Hillary Clinton, e kanë paraqitur të kaluarën e zotit Manafort si provë të lidhjeve pro-ruse të zotit Trump.

Të dielën në mbrëmje, fushata e zonjës Clinton nxorri një deklaratë ku fliste “për më shumë lidhje shqetësuese mes ekipit të Donald Trumpit dhe elementëve pro-Kremlinit në Ukrainë”.

Komentet e zotit Trump për Rusinë

Lidhjet me Rusinë, për të cilat akuzohet, u analizuan edhe më hollësisht javët e fundit, veçanërisht pasi Komiteti Kombëtar Demokrat ra viktimë e një sulmi të mundshëm kibernetik rus, që disa e panë si një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane në favor të zotit Trump.

Kandidati republikan për president ka bërë disa komente për Rusinë muajt e fundit që kanë shkaktuar habi.

Ai vlerësoi aftësitë udhëheqëse të Presidentit rus Vladimir Putin dhe tha se ndjehej i nderuar që Putini i ishte referuar atij si “i zgjuar dhe i talentuar”.

Ndërsa së fundmi, zoti Trump i bëri thirrje Rusisë që të depërtonte në emailet e zonjës Clinton, një koment që më pas ai tha se ishte shaka.

Zoti Trump i ka quajtur si konspiracion kundër tij, pyetjet e ngritura për lidhjet e tij të mundshme me Rusinë.

XS
SM
MD
LG