Lidhje

Pres.Obama, jehonë mësimeve të Murit të Berlinit


Presidenti Barack Obama përshëndeti gjermanët me rastin e 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, duke thënë se triumfi i asaj nate nëntori ishte një nderim për të gjithë ata që kishin humbur jetën gjatë dekadave në përpjekje për të shkuar drejt lirisë.

Presidenti kujtoi sesi atë natë të 9 nëntorit, banorët e Berlinit Lindor dolën nëpër rrugë dhe rrëzuan murin që i kishte ndarë prej një kohe të gjatë nga të afërmit, miqtë dhe bota e lirë, duke thënë se nuk do t’i harronte kurrë ato pamje.

Ai tha se rënia e Murit ishte një testament për breza të tërë gjermano-perëndimorësh, amerikanësh dhe aleatëve të tyre që qëndruan krah për krah gjatë Luftës së Ftohtë.

25 vjet më pas, vazhdon Presidenti Obama, Gjermania e Bashkuar luan një rol udhëheqës në Evropë dhe botë dhe Shtetet e Bashkuara “janë krenare që i kanë miqtë gjermanë, mes aleatëve më të fortë”.

Ai shton se vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë zënë vendin e tyre si demokraci dhe Evropa është më e integruar, më e begatë dhe më e sigurt.

“Por siç na kujtojnë veprimet e Rusisë kundër Ukrainës, kemi akoma punë për të bërë për të përmbushur plotësisht vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe”, thotë Presidenti Obama në deklaratë.

Ai thotë se mësimet e Berlinit do të jenë udhërrëfyese në Evropë dhe kudo tjetër që qytetarët përpiqen të vendosin për fatin e tyre.

“Muret dhe regjimet shtypëse, mund të qëndrojnë për një farë kohe, por në fund të fundit ato nuk mund t’i rezistojnë dëshirës për liri dhe dinjitet njerëzor që e ka vatrën në çdo zemër njerëzore”, përfundon deklarata.

XS
SM
MD
LG