Lidhje

Presidenti Obama i rikthehet temës së buxhetit


Presidenti Barack Obama thotë se shpreson që negociatat e ardhshme për buxhetin mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres të sjellin si rezultat zgjidhje të balancuara të problemeve fiskale, duke u hapur njëkohësisht rrugën investimeve të nevojshme për rritje ekonomike.

Në një shkollë të mesme teknologjike në Bruklin të Nju Jorkut, zoti Obama përsëriti idenë e tij se zgjidhjet fiskale nuk duhet të vijnë në kurriz në arsimit dhe fushave të tjera të ekonomisë.

Shkolla Ptech përgatit nxënësit për karriera në shkencë dhe për vende pune që zoti Obama i quan jetike për forcimin e klasës së mesme.

Presidenti Obama foli para një grupi nxënësish nga pakicat dhe u prezantua nga Radcliffe Saddler, që ka lindur në Xhamajka.

Presidenti foli për rëndësinë e arsimit, por edhe për negociatat që fillojnë javën e ardhshme mes ligjvënësve demokratë dhe republikanë për buxhetin e Shteteve të Bashkuara.

Zoti Obama tha se Uashingtoni ka nevojë për “kurajo politike”, duke shtuar se bisedimet për buxhetin duhet të gjejnë një ekuilibër mes shkurtimit të shpenzimeve të panevojshme dhe shmangies së dobësimit të përparimit ekonomik.

“Në këtë moment ne duhet të punojmë së bashku, duhet ta forcojmë ekonominë, jo ta tkurrim, të krijojmë dhe jo të eliminojmë vende pune, duhet të përfundojmë ngritjen e themeleve të reja për mirëqenie të qëndrueshme, në mënyrë që të gjithë ata që punojnë, që studiojnë në shkolla si kjo në gjithë vendin, të kenë mundësinë të ecin përpara”.

Zoti Obama tha se do të vazhdojë të këmbëngulë për një buxhet të përgjegjshëm dhe të matur, por që shmang shpërdorimet përmes taksave, duke çliruar njëkohësisht burimet që ndihmojnë në rritjen ekonomike.

Negociatorët e Kongresit kanë kohë deri në mes të dhjetorit për të arritur një marrëveshje për përputhjen e propozimeve demokrate dhe republikane për buxhetin.
XS
SM
MD
LG