Lidhje

Obama do të kërkojë zgjidhje afatgjata të problemeve në takimin e G20-s


Obama do të kërkojë zgjidhje afatgjata të problemeve në takimin e G20-s
Obama do të kërkojë zgjidhje afatgjata të problemeve në takimin e G20-s

Presidenti Barak Obama këtë javë shkon në takimin ekonomik të 20 ekonomive më të zhvilluara të botës, G20, që do të zhvillohet në Francë, me shpresën për të ndihmuar Evropën për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për krizën e borxhit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, presidenti është gjithashtu duke u përpjekur të bindë vendet e tjera të G20-tës se problemet ekonomike dhe politike të Amerikës mund të kapërcehen.

Kriza e borxhit që ka përfshirë Evropën do të jetë në krye të axhendës në takimin e kësaj jave në qytetin turistik francez të Kanës, ku do të marrin pjesë 20 vendet më të mëdha industriale të botës dhe organizatat më të mëdha ndërkombëtare.

Marrëveshja e javës së kaluar e Bashkimit Evropian për të rritur fondin e ndihmave financiare dhe për të ulur borxhin e Greqisë në 50 përqind ka të ngjarë të lehtësojë disa nga presionet e vendeve të G20-tës.
Presidenti Obama e quajti marrëveshjen një hap i parë i rëndësishëm drejt rritjes afatgjatë të ekonomisë globale. Por ai tha se ka ende më shumë punë për t’u bërë.

“Çështja kryesore tani është të sigurohemi që do të ketë një mënyrë efektive për të ecur përpara”.

Disa ekspertë janë dakord se marrëveshja që ka arritur BE-ja është vetëm fillimi i zgjidhjes. Matthias Matthijs është ndihmës profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Uashington.

“Kjo marrëveshje është zgjidhje e përkohshme që ka shtyrë problemet ndoshta për disa muaj. Por problemet kryesore janë ende të pranishme”.

Problemet ekonomike dhe politike të Amerikës mund të bëhen temë diskutimi në takimin e G20-tës. Papunësia e lartë ka ngadalësuar rimëkëmbjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Grindjet partiake shkaktuan një krizë borxhi, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e Uashingtonit për të trajtuar problemet e veta ekonomike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney i siguroi partnerët në grupin e G20-tës se presidenti është duke bërë përparim në këto çështje.

“Në udhëtimin e tij në Francë presidenti sjellë me vete faktin se ne jemi duke i kërkuar Kongresit tonë të veprojë në zgjidhjen e çështjeve, dhe ai shkon atje si udhëheqësi i ekonomisë më të madhe në botë si dhe një mik dhe si aleat i madh i shumë vendeve”.

Përparësi tjetër e presidentit Obama gjatë vizitës së tij në Kanë është kërkesa për qasje më të madhe të eksporteve amerikane në tregjet ndërkombëtare.

“Kemi arritur në një situatë ku Shtetet e Bashkuara gjithmonë shihen si një treg i madh për eksport dhe i mirëpresin mallrat nga e gjithë bota, por edhe ne duhet të shesim mallrat tona në mbarë botën”.


Përveç kësaj, profesor Matthias Matthijs thotë se presidenti do të të sjellë për diskutim çështjen e vlerës së monedhës kineze.

Scheherazade Rehman, drejtore e Qendrës për Studime të Bashkimit Evropian në Universitetin George Washington, dyshon se pikëpamjet e presidentit për valutën e Kinës do të mbështeten nga vendet evropiane.

“Ata tani po merren me problemet e tyre të borxhit dhe nuk mendojnë se tani është momenti i përshtatshëm për të nisur një luftë mbi çështjen e monedhës me Kinën. Nga këndvështrimi i Presidentit Obama, ky është moment i duhur pasi ai mund t’i tregojë popullit amerikan se ai po bënë çdo gjë që është e mundur për të mbajtur vendet e punës në Amerikë”.

Këto dhe çështje të tjera do të trajtohen në takimin dy ditor të G20-tës. Presidenti Obama dhe udhëheqësit e tjerë të G20-tës do të mbërrijnë në Kanë të enjten dhe të largohen të premten vonë.

XS
SM
MD
LG