Lidhje

Obama: Po arrihet konsensus për reformat në Eurozonë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës kanë filluar të bien dakord se më shumë vende pune dhe një rritje më e madhe ekonomike do të ndihmojnë në prapsimin e krizës ekonomike në Evropë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain na informon se zoti Obama i bëri këto komente në përfundim të takimit të nivelit të lartë të G-8s.

Pas dy ditë bisedimesh në Kemp Dejvid, vendpushimi presidencial jashtë Uashingtonit, zoti Obama tha se tetë udhëheqësit ishin dakord se vetëm shkurtimet buxhetore nuk janë të mjaftueshme për të mëkëmbur ekonominë e Evropës.

“Tani konsensusi është gjithnjë e më i qartë se më shumë duhet bërë për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të krijuar vende pune, në kontekstin e këtyre reformave fiskale dhe strukturore”.

Në një komunikatë të përbashkët të udhëheqësve të G-8s, bëhet thirrje për vendosjen e balancës mes rritjes ekonomike dhe masave shtrënguese për të luftuar krizën ekonomike.

Zoti Obama tha se udhëheqësit diskutuan nevojën që vendet evropiane në vështirësi të vazhdojnë të ulin deficitin, ndërkohë që të nxitin rritjen ekonomike.

“Sot ne ramë dakord se duhet të marrim masa për të rritur besimin dhe për të nxitur rritjen ekonomike dhe kërkesën, ndërkohë që t’i japim drejtimin e duhur financave. Ne ramë dakord se është e rëndësishme që eurozona të jetë e fortë dhe e bashkuar, dhe u shprehëm se është në interesin tonë që Greqia të qendrojë në Eurozonë dhe ndërkohë të respektojë angazhimet e tij”.

Por vendimet e udhëheqësve mund të kenë pasoja politike për ta. Mbrojtësja kryesore e masave shtrënguese në Evropë, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, pa kohët e fundit humbjen e partisë së saj në zgjedhjet vendore.

Ish Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, i cili mbështeti shkurtimet buxhetore, humbi në zgjedhjet presidenciale ndaj zotit Fransua Olond, i cili ofroi një politikë pro rritjes ekonomike.

Shumë analistë politikë në Shtetet e Bashkuara thonë se ngecja ekonomike, kryesisht për shkak të problemeve në vendet evropiane, është pengesa më e madhe rizgjedhjen e zotit Obama në muajin nëntor.

“Udhëheqësit i kanë të qarta prasojet. Ata e njohin rëndësinë e zgjedhjeve që u duhet të bëjnë dhe si rezultat koston e madhe politike, ekonomike deh sociale që lidhet me to”.

Udhëheqësit e G-8s diskutuan gjithashtu edhe mundësinë e mungesave në tregjet e naftës, kur të hynë në fuqi sanksionet e reja kundër eksporteve të naftës muajin e ardhshëm.

“Përballë mungesave më të mëdha në furnizimin me naftë, ne ramë dakord se ne duhet monitorojmë nga afër tregjet botërore të energjisë. Sëbashku, ne jemi të gatshëm t’i bëjmë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë të marrë masa për të siguruar që tregjet të jenë plotësisht dhe në kohë të furnizuara”.

Presidenti Obama ishte mikpritësi i takimit të G-8, ku kishte ftuar edhe udhëheqësit e Beninit, Etiopisë, Ganës dhe Tanzanisë, për të ndihmuar të përmirësimin e gjendjes së furnizimeve ushqimore në Afrikë.

Zoti Obama tha se G-s është e angazhuar të avancojë nismën e tij të vitit 2009 që çoi në grumbullimin e 22 miliardë dollarëve nga zotimet qeveritare.

Presidenti tha se ai dhe homologët e tij të G-8s bënë përparim në disa çështje të tjera me rëndësi ndërkombëtare, mes tyre ishin Afganistani, Siria dhe Koreja e Veriut.

Shumica e udhëheqësve kanë shkuar tani në Çikago, vendbanimi i zotit Obama, për takimin e nivelit të lartë të NATOs.

XS
SM
MD
LG