Lidhje

Obama: Gazetarët të gërmojnë më thellë


Presidenti i SHBA Barack Obama u bëri thirrje gazetarëve të "gërmojnë më thellë dhe të kërkojnë më shumë".

Ai i bëri komentet gjatë një fjalimi që mbajti mbrëmë, ku theksoi rëndësinë e shtypit të lirë në Amerikë.

Presidenti Obama tha se pyetja që i bëhet më shpesh nga udhëheqësit e botës është se çfarë po ndodh me politikën amerikane. Fushata presidenciale, tha ai, ka sjellë "një retorikë përçarëse dhe shpesh vulgare" që gërryen demokracinë dhe shoqërinë.

"Kur zyrtarët tanë të zgjedhur dhe fushata jonë politike shkëputen tërësisht nga arsyet, faktet dhe analiza, kur nuk ka më rëndësi se çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është, kjo e bën të pamundur që ne të marrim vendime të mira në emër të brezave të ardhshëm", tha presidenti.

Rezultati, sipas zotit Obama, është se "pohimet e pabaza nuk kontestohen.”

Ai pranoi se presionet financiare kanë bërë që mediat të shkurtojnë burimet dhe personelin, por u bëri thirrje atyre të krijojnë kushtet që gazetarët të gërmojnë thellë në çështje që meritojnë vëmendje ndonëse nuk "bien shumë në sy".

XS
SM
MD
LG