Lidhje

Presidenti Obama, takim me 6 udhëheqës të Gjirit


Presidenti amerikan Barack Obama po mban një takim të nivelit të lartë me udhëheqës dhe zyrtarë të lartë të gjashtë vendeve të Gjirit, në një kohë që ai e cilëson si “shumë sfiduese”.

Bisedimet filluan në një darkë pune në Shtëpinë e Bardhë dhe vazhdojnë sot në residencën presidenciale në Camp David, rreth 100 km në veri të Uashingtonit.

Në bisedime do të analizohen rrugët e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Gjirit për kriza rajonale si luftimet në Irak, Siri, Libi dhe Jemen dhe rolin e Iranit në rajon.

Zëvendës Këshilltari për Siguri Kombëtare Ben Rhodes i tha Alhurrës se Shtetet e Bashkuara i vlerësojnë lidhjet e sigurisë me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit.

“Për një numër çështjesh ne duam të punojmë me këto vende për të zhvilluar aftësitë e tyre për të punuar me Shtetet e Bashkuara”.

Po dje, zoti Obama u takua me Princin Saudit të Kurorës Mohammed bin Nayef dhe zëvendës princin Mohammed Salman, i biri i Mbretit Salman për bisedime para takimit të nivelit të lartë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë një miqësi dhe marrëdhënie të jashtëzakonshme që nga koha e Franklin Roosveltit dhe Mbretit Faisal dhe po vazhdojmë ta konsolidojmë këtë lidhje në një kohë shumë të vështirë”.

Ata folën gjithashtu për Jemenin, duke shpresuar se armëpushimi humanitar do të respektohet. Sauditët kanë udhëhequr një koalicion arab që po ndërmerr goditje ajrore kundër kryengritësve Houthi të mbështetur nga Irani që kanë detyruar presidentin pro-perëndimor të Jemenit të arratiset.

Në takimin e nivelit të lartë, marrin pjesë gjithashtu emirët e Kuvajtit dhe Katarit dhe zyrtarë të lartë nga Bahreini, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

XS
SM
MD
LG