Lidhje

Pres. Obama, takon drejtuesit e shërbimit shëndetsor


Presidenti Barack Obama po takohet sot me ekzekutivë të shërbimit shëndetësor, përpjekja e tij më e fundit, që synon shpëtimin e reformave të tij për shërbimin shëndetësor. Shtëpia e Bardhë është përballur me një sërë ankesash, se miliona njerëz janë duke e humbur kujdesin shëndetësor, që njihet gjerësisht si Obamacare, edhe pse Presidenti i kishte premtuar votuesve se mund ta mbanin sigurimin e tyre të mëparshëm, në se duan.

Zoti Obama vendosi të shtyjë për një vit zbatimin e plotë të ligjit të tij për kujdesin shëndetësor për t’u bërë të mundur amerikanëve që të mbajnë planet e anuluara të sigurimeve shëndetsore gjatë kësaj kohe, pasi njerëzit nuk mund të hynin në faqen elektronike të qeverisë për të blerë sigurime shëndetsore siç parashikohet në ligjin e ri.


Presidenti Obama u kërkoi përsëri falje 5 për qind të amerikanëve, që kanë humbur planet e sigurimeve shëndetsore në bazë të ligjit të ri. Tani firmat e sigurimeve do të jenë në gjendje t’u ofrojnë këtyre njerzve alternative për të rimarrë planet e sigurimeve që kishin, sepse këtyre firmave nuk mund t’u kërkohet ta bëjnë këtë.

Presidenti e pranoi se administrata e tij dështoi në fazën e parë të planit të kujdesit shëndetësor të quajtur “Obamacare”, duke shtuar se i duhet të rifitojë besimin e popullit amerikan.

Pasi njoftoi dje në Shtëpinë e Bardhë shtyrjen e pjesëshme të ligjit të kujdesit shëndetsor, zoti Obama shkoi në shtetin Ohio, ku premtoi se do ta verë në vijë programin e kujdesit shëndetsor.

“Do të sigurohem që ky program funksionon. Dua të sigurohem që miliona amerikanë nuk do të falimentojnë financiarisht kur sëmuren. Dua të sigurohem që ata të shkojnë tek mjeku kur fëmija është i sëmurë dhe për këtë ne nuk do të kërkojmë falje. Ne do ta bëjmë këtë”.

Presidenti u bëri gjithashtu sfidë kritikëve të tij në Kongres.

“Ne do të regullojmë atë që duhet regulluar dhe do ta vëmë në funksionim ligjin e kujdesit shëndetsor. Ne do t’i kundërshtojmë ata që thonë se janë kundër këtij ligji, megjithatë nuk ofrojnë zgjidhje”.

Më parë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner, tha se populli amerikan nuk mund t’i besojë Shtëpisë së Bardhë dhe nuk do ta lejojë administratën Obama “të shkatërrojë” sistemin më të mirë shëndetësor në botë, siç u shpreh ai.

“Le të jemi të qartë. E vetmja mënyrë për ta mbrojtur sa më mirë popullin amerikan është që ky ligj të shfuqizohet një here e përgjithmonë. Ai nuk mund të regullohet”.

Të mërkurën administrata Obama njoftoi se 106,185 njerëz ishin regjistruar për plane të sigurimeve shëndetsore në bazë të ligjit të ri të kujdesit shëndetsor, shumë më pak se sa parashikimet fillestare të administratës. Zyrtarë të administratës synojnë që disa miliona njerëz të regjistrohen në këto plane para afatit të fundit më 31 mars të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG