Lidhje

Takim Obama-Hollande në Uashington


Presidenti francez Francois Hollande do të takohet të martën me presidentin amerikan Barak Obama, si pjesë e një turneu shumë-vendesh që synon bashkërendimin e veprime kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe përpjekjet për një zgjidhje politike për luftën civile në Siri.

Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë "thellimin e bashkëpunimit", në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që ka kryer sulme ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri për më shumë se një vit. Para largimit nga Franca për takimin e tij me presidentit Obamën, presidenti Hollande u takua sot me kryeministrin britanik David Cameron, i cili premtoi zgjerimin e bashkëpunimit kundër terroristëve.

David Cameron, Kryeministër i Britanisë:

"Ne përballemi me një kërcënim të përbashkët dhe ne duhet të ndajmë informacionet e shërbimeve tona të zbulimit për t’u mbrojtur më mirë nga këta terroristët. Britania e Madhe dhe Franca tashmë janë duke e bërë këtë, por sot ne kemi rënë dakord që të shtojmë përpjekjet tona edhe më tej dhe për të punuar më ngushtë me fqinjët evropian".

Kryeministri Cameron tha se ai do t'i kërkojë parlamentit britanik këtë javë të miratojë zgjerimin e përfshirjes së Britanisë në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara duke përfshirë pjesëmarrjen në sulmet ajrore në Siri.

Avionët luftarakë francezë kanë qenë pjesë e kësaj përpjekje, dhe zyrtarët i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se dëshira për veprime më të madha nuk përfshinë angazhimin e trupave tokësore në Siri.

Presidenti Hollande tha sot se ushtria e tij do të "intensifikojë" sulmet në Siri:

Franca paraqiti një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që u miratua javën e kaluar, e cila u bën thirrje të gjitha vendeve që i kanë mundësitë të punojnë për të "parandaluar dhe goditur aktet terroriste" të Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera, dhe për të "zhdukur strehën e sigurt" që ata kanë krijuar në Sirinë lindore e veriore dhe në Irakun perëndimor.

Rezoluta, e cila dënon sulmet e Shtetit Islamik këtë vit në Francë, Egjipt, Tunizi dhe Liban, thotë se militantët paraqesin një "kërcënim global dhe të paparë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare".

Po këtë javë, në kuadër të përpjekjeve kundër Shtetit Islamik presidenti francez Francois Hollande do të takohet edhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin rus Vladimir Putin.

XS
SM
MD
LG