Lidhje

SHBA: Obama, Hollande komentojnë për terrorizmin


Obama US France
Obama US France

Presidenti amerikan Barack Obama i bëri një vlerësim kritik rolit të Rusisë në komentet që bëri të martën mbi përpjekjet globale për të luftuar Shtetin Islamik. Zoti Obama komentoi gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin francez François Hollande.

Presidenti Obama tha se kundër Shtetit Islamik po lufton një koalicion prej 65 shtetesh, duke përfshirë edhe vende të tilla të largëta si Australia dhe Azia Juglindore. Nga ana tjetër, tha ai, Rusia, është pjesë e një koalicioni prej vetëm dy vendesh.

Ai përmendi Rusinë dhe Iranin si mbështetës të regjimit të presidentit sirian Bashar Asad. Presidenti Obama tha se bashkëpunimi rus në zgjidhjen e luftës civile siriane do të ishte jashtëzakonisht i dobishëm.

Zoti Obama tha se rrëzimi i një avioni rus nga Turqia flet për një problem me sulmet ajrore të Rusisë në Siri. Ai tha se Turqia ka të drejtë të mbrojë territorin dhe hapësirën e saj ajrore.

Rusia, tha Presidenti Obama, po vepron shumë afër kufirit me Turqinë ndërkohë që sulmon grupet e moderuara opozitare që mbështeten nga Turqia dhe një numër i madh vendesh.

Presidenti Obama tha se në qoftë se Rusia do t’i përqendronte sulmet e saj ajrore kundër grupit Shteti Islamik, atëherë do të kishte më pak gjasa për gabime.

Zoti Obama i bëri thirrje si Turqisë edhe Rusisë, të marrin masa për të shkurajuar çdo lloj shkallëzimi të gjendjes pas rrëzimit të avionit rus.

Ai tha se rrëzimi i avionit nënvizon rëndësinë për të ecur përpara në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të luftës civile në Siri.

Nga ana e tij, Presidenti francez François Hollande tha se ka në plan t’i deklarojë presidentit rus Vladimir Putin se Franca mund të punojnë me Rusinë, nëse Moska i përqendron veprimet e saj ushtarake në Siri në luftën kundër Shtetit Islamik.

Ai tha se Franca dëshiron që Rusia të angazhohet plotësisht për një zgjidhje politike në Siri dhe për të çrrënjosur terrorizmin. Zoti Hollande tha se Franca dëshiron të punojë me të gjitha vendet që janë të gatshme për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje për luftën civile në Siri. Ai tha: “Ne nuk duam të përjashtojmë askënd.''

Presidenti Hollande tha se kriza e refugjatëve sirianë ka një ndikim të drejtpërdrejnë mbi Evropën. Ai tha se nëse Evropa braktis miliona refugjatë që u largohen bombave dhe Shtetit Islamik, ajo do të tradhtonte parimin e saj themelor.

Por presidenti francez tha se Evropa duhet të sigurojë kufijtë e saj. Ai tha se Turqia luan një rol të rëndësishëm në këtë aspekt. Sipas tij, Evropa duhet të punojë me Rusinë për të gjetur zgjidhje në mënyrë që refugjatët të mund të qëndrojnë afër vendit të tyre të origjinës.

Presidenti francez tha se në takimin me presidentin Barak Obama, ata vendosën të shtojnë përpjekjet e tyre në Siri dhe Irak. Dy vendet, tha ai, do të forcojnë shkëmbimin e informacioneve të zbulimit lidhur me objektivat që do të goditen.

XS
SM
MD
LG