Lidhje

Obama: Ende punë drejt barazisë racore


Presidenti Barack Obama mbajti një fjalim plot pasion në Universitetin Howard, një ndër universitetet amerikane që u ngritën vite më parë për afrikano-amerikanët. Ndërkohë që i mbeten vetëm pak muaj në detyrë, presidenti po e përqëndron mesazhin e tij tek tema delikate, që shkaktojnë debate të ndezura në vend, siç është gjendja e komunitetit afrikano-amerikan. Gjatë administratës së tij ka pasur një numër incidentesh fatale kur afrikano-amerikanë të pa-armatosur janë vrarë nga policia, duke ndezur protesta masive. Disa në komunitetin afrikano-amerikan e kritikojnë presidentin se nuk ka bërë sa duhet për ta trajtuar këtë problem:

Presidenti doli para studentëve me një mesazh që e ka mënjanuar gjatë gjithë mandidatit të tij presidencial: beteja për barazinë racore vazhdon. Amerika e ditëve tona, tha ai, nuk ka të krahasuar thuajse në asnjë aspekt me Amerikën kur ai mbaroi studimet universitare. Marrëdhëniet racore janë përmirësuar vazhdimisht gjatë tre dekadave të fundit, por mbetet ende shumë punë.

“Kemi kushërinj, xhaxhallarë, vëllezër dhe motra, të cilët i mbajmë mend si po aq të zgjuar dhe të talentuar sa ne, por që mbetën peng i strukturave të padrejtësisë. Kjo do të thotë se ne jo vetëm që të mos e marrim të mirëqënë përparimin në botën e tanishme, por edhe të ngremë zërin në mbrojtje të atyre afrikano-amerikanët që nuk janë aq me fat.”

Presidenti u tha të diplomuarve të rinj në Uashington se nëse duan të shohin ndryshim, nuk munden ta kalojnë jetën të përgjumur, por duhet të marrin pjesë aktive në sistemin demokratik. Ai u vuri në dukje se tashmë nuk u duhet më të rrezikojnë jetën e tyre për të votuar, pasi breza të tjerë e bënë këtë sakrificë përpara tyre. Presidenti nënvizoi rëndësinë për pjesëmarrje në të gjithë procesin politik, jo thjesht në zgjedhjet presidenicale.

“Në vitin 2012 afro 2/3 e afrikano-amerikanëve dolën për të votuar. Në 2014, vetëm 2/5 dolën për të votuar. Si mendoni, nuk ndikon ky fakt tek përbërja e Kongresit, me të cilin duhet të punoj unë?”

Ai tha se të diplomuarit e sotshëm, duke qenë vetë afrikano-amerikanë, janë të pozicionuar më mirë se kurrë për të trajtuar çështjet madhore. Ngjyra e lëkurës, iu drejtua ai studentëve afrikano-amerikanë, nuk duhet t’u shërbejë kurrë si justifikim për të kërkuar, ose bërë më pak se të tjerët: “Thuajeni me zërin plot trashëgiminë tuaj; keni besim tek ngjyra juaj e lëkurës!”

Presidenti do të flasë edhe në dy ceremoni të tjera diplomimi gjatë dy javëve të ardhshme.

XS
SM
MD
LG