Lidhje

Obama: I zemëruar nëse akuzat ndaj personelit të Shërbimit Sekret konfirmohen


Presidenti Barak Obama tha dje se ai pret të zhvillohet një hetim "rigoroz", lidhur me akuzat për sjellje të papërshtatshme nga ana e disa anëtarëve të personelit të Shërbimit Sekret në Kolumbi, duke paralajmëruar se ai do të "zemërohej" në qoftë se ato do të rezultonin të vërteta. Skandali zbehu punën diplomatike të zotit Obama, ditët e fundit, në takimin e vendeve të kontinentit amerikan në Kartagjenë.

"Nëse rezulton se disa nga akuzat që janë bërë në shtyp konfirmohen, atëherë sigurisht që do të zemërohem, sepse qëndrimi im ndaj personelit të Shërbimit Sekret nuk ndryshon nga çfarë unë pres prej delegacionit tim, i ulur këtu. Ne përfaqësojmë popullin e Shteteve të Bashkuara."

Zyrtarët amerikanë thanë të shtunën se 11 anëtarë të personelit të Shërbimit Sekret të dërguar në Kolumbi përpara vizitës së presidentit Obama, u kthyen në atdhe dhe për ta u vendos masa e pezullimit të përkohshëm, në pritje të një hetimi lidhur me dyshime për sjellje të papërshtatshme, që kanë të bëjnë me prostitucion. Pesë anëtarë të stafit ushtarak amerikan të caktuar për të ndihmuar personelin e Shërbimit Sekret u mbyllën në kazermat e tyre në Kolumbi.

Shkelja e dyshuar thuhet se ka ndodhur para se zoti Obama të mbërrinte të premten në qytetin turistik të Kartagjenës, për takimin e vendeve të kontinentit amerikan.


XS
SM
MD
LG