Lidhje

Obama: Gati të punoj për krizën në imigracion


Obama: Gati të punoj për të zgjidhur krizën në imigracion

TEASER: Dhjetëra mijëra fëmijë nga Amerika Qendrore janë futur të pashoqëruar në Shtetet e Bashkuara duke krijuar një krizë humanitare

INTRO: Presidenti Barak Obama thotë se administrata e tij është gati t’i futet punës për të zgjidhur krizën aktuale të imigracionit, por shton se një zgjidhje afat-gjatë duhet të përfshijë ndihma për vendet e Amerikës Qendrore për të luftuar krimin dhe varfërinë që i bëjnë njerëzit të ndërmarrin veprime të rrezikshme. Zoti Obama i bëri komentet në Teksas, në një kohë kur ky shtet po ballafaqohet me një krizë në rëndim në kufirin me Meksikën si rezultat i imigrantëve të paligjshëm. Problemi u diskutua këtë javë në Uashington, ku ligjvënësit u informuan se mbi 57 mijë të mitur, të pashoqëruar nga të rritur janë futur në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të fundit.

Në një fjalim këtë javë në Dallas të Teksasit, Presidenti Obama vlerësoi zyrtarët lokalë dhe grupet fetare për ndihmën që kanë dhënë për të përballuar problemin e imigrantëve.

“Pa dyshim, zgjidhja afat-gjatë për këtë problem është që Dhoma e Përfaqësuesve të miratojë ligje për të ndrequr sistemin e imigracionit, ku do të përfshiheshin fonde për mijëra roje kufitare shtesë, gjë që banorët e këtushëm e konsiderojnë si përparësi”.

Republikanët fajësojnë demokratët për krizën. John McCain, republikan nga Arizona thotë se në 2013 vetëm një në 23 imigrantë të paligjshëm u kthye në atdhe.

“Është fakt se njerëzit vijnë këtu dhe, siç e tregojnë këto shifra, të cilat mendoj se përfaqësojnë vetëm gjysmën e problemit, kanë çdo arsye të mundshme të besojnë se në këtë vend ka mundësi të mjaftueshme për t’i akomoduar”.

Tom Carper, demokrat nga shteti Dalauer, thotë se ka rëndësi të trajtohen rrënjët që e shkaktojnë këtë eksod masiv nga disa vende:

“Jetesa në disa pjesë të Guatemalës, Salvadorit dhe Hondurasit është më e vështirë sot. Ekziston rrezik për vetë jetën. E kam parë me sytë e mi këtë vit. Dhuna është shtuar gradualisht në rajon. Ritmet e vrasjeve në këto tre vende janë më të lartat në botë. Rrëmbimet dhe kërcënimet janë një fenomen i përhapur. Ndërkaq, këto vende vuajnë nga amullia ekonomike që ka krijuar mundësi të pamjaftueshme punësimi dhe përparimi për banorët”.

Rigoberto Hernandez është shofer autobusi në Salvador.

“Është jetë shumë e rrezikshme, pasi duhet të punojmë që nga katër e mëngjesit. Nëse dikush nuk të ka qejf, të vret kur të dojë. Siç i themi këtu: duhet të paguash që të mbetesh gjallë”.

Një situatë e ngjashme në Meksikë disa vjet më parë u bë shkas për imigracion masiv për në Shtetet e Bashkuara. Por shifrat e reja tregojnë se numri i imigrantëve meksikanë ka rënë. Komisioneri amerikan për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit Gil Kerlikowske tha se përmirësimi ishte rezultat i bashkëpunimit me Meksikën.

“I kemi përjetuar këto ndryshime dhe mendoj se ishin rezultat i punës që bëmë për presidentin në politikat e anti-drogës. Siguria është përmirësuar brenda Meksikës dhe është fakt se janë përmirësuar edhe mundësitë ekonomike në atë vend”.

Kongresi amerikan duhet të vendosë nëse do të miratojë kërkesën e Presidentit për 3.7 miliardë dollarë në përgjigje të krizës humanitare. Por shumë thonë se numri shtesë i objekteve dhe rojeve kufitare që do të mbuloheshin me këtë fond janë thjesht një masë e përkohëshme. Një zgjidhje afat-gjatë për imigracionin e paligjshëm duhet të përfshijë plane për të krijuar kushte të përshtatshme jetese në vendet nga vijnë imigrantët.

XS
SM
MD
LG