Lidhje

Obama: Irani duhet të lirojë katër amerikanët


Presidenti amerikan Barak Obama i kërkoi të martën Iranit lirimin e tre amerikanëve që mbahen atje si dhe të ndihmojë për të gjetur një amerikan të katërt, i cili besohet se ndodhet në Iran.

"Ne nuk do të ndalemi derisa amerikanët tanë të cilët mbahen të arrestuar padrejtësisht në Iran, të kthehen në shtëpitë e tyre," tha zoti Obama në një konferencë veteranësh në Pitsburg. "Gazetari Jason Rezaian duhet të lirohet. Pastori Saeed Abedini duhet të lirohet. Amir Hekmati, ish-rreshter i marinsave, duhet të lirohet. Irani duhet të na ndihmojë për të gjetur amerikanin Robert Levinson. Këta amerikanë duhet të kthehen në shtëpi pranë familjeve të tyre,” tha zoti Obama.

Pjestarë të familjeve, miq dhe bashkëpunëtorë të katër amerikanëve që mbahen në Iran e kanë kritikuar zotin Obama se nuk është përpjekur për të siguruar lirimin e tyre, si pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të javës së kaluar me Teheranin që bllokon të paktën përkohësisht prodhimin e armëve bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike paralizuese të vendosura nga Kombet e Bashkuara dhe vendet perëndimore.

Zoti Obama e mori në mbrojtje marrëveshjen e negociuar nga Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe SHBA me Iranin, duke e quajtur atë "një mënyrë më inteligjente dhe më të përgjegjshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare amerikane."

XS
SM
MD
LG