Lidhje

Obama mbron sulmet me avionë pa pilot në Pakistan


Obama mbron sulmet me avionë pa pilot në Pakistan
Obama mbron sulmet me avionë pa pilot në Pakistan

Presidenti amerikan Barack Obama i doli në mbrojtje përdorimit të sulmeve me avionë pa pilot në Pakistan, të cilat zyrtarët amerikanë nuk i kanë pranuar asnjëherë publikisht.

Duke folur gjatë një diskutimi në internet dje, zoti Obama tha se sulmet me avionë pa pilot janë përdorur për të vënë në shënjestër al-Kaidën dhe ndihmësit e saj dhe se shumë nga sulmet kanë qënë në zonat fisnore gjysmë-autoktone të Pakistanit në kufi me Afganistanin.
Presidenti tha se operacionet përdoren “për sulme shumë precise” dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk i autorizojnë sulmet pa i menduar mirë. Ai tha se kjo është një përpjekje e synuar dhe e përqëndruar kundër “terroristëve aktiv” në zona të vështira për të vepruar.

Pas komenteve të presidentit, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Pakistanit i tha një agjencie franceze lajmesh se sulmet janë “të paligjshme, kundër productive dhe të papranueshme” megjithë, atë që e quajti “avantazh taktik” të tyre.

Qeveria e Pakistanit ka dënuar për një kohë të gjatë sulmet me avionë pa pilot si një shkelje të sovranitetit, por sulmet besoheshin se kryeshin me ndihmën e zbulimit të Pakistanit.

Deri dje, zyrtarët amerikanë asnjëherë nuk kishin konfirmuar sulmet kundër militantëve në zonat fisnore të Pakistanit, por ato ishin konfirmuar si të tilla në mënyrë anonime në agjenci të ndryshme të medias.

XS
SM
MD
LG