Lidhje

Rreth takimit Obama – Merkel


Pasi u përpoq për një marrëveshje paqeje me rusët, Kancelarja gjermane Angela Merkel viziton Uashingtonin për bisedime me Presidentin Obama. Udhëheqësi amerikan është duke shqyrtuar mundësinë e ndihmës ushtarake për Ukrainën, diçka që zonja Merkel thotë se nuk do ta ofrojë vendi i saj. Këto pozicione të ndryshme do të jenë pjesë e axhendës së vizitës në Shtëpinë e Bardhë të udhëheqëses gjermane ditën e hënë.

Pasi udhëtoi ditët e fundit drejt Kievit dhe Moskës, Angela Merkel vjen tashmë në Shtëpinë e Bardhë, duke vazhduar përpjekjen për të gjetur një zgjidhje për Ukrainën.

Ky do të jetë dhe një shans për Presidentin Obama të dëgjojë pikëpamjet e një vendi të rëndësishëm aleat në Evropë, përpara se të vendosë nëse do të dërgojë asistencë ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë vetveten nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

“Presidenti do të marrë një vendim që ai e konsideron pjesë e kuadrit më të gjerë të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Pjesë e kësaj është edhe të kuptuarit e ndikimit që kanë vendimet tona tek aleatët tanë,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Efektet për marrëdhëniet tregtare të Gjermanisë me Rusinë përbëjnë një shqetësim të madh për zonjën Merkel dhe janë pjesë e arsyes pse ajo nuk dëshiron t’u dërgojë armë ukrainasve.

Zoti Stiven Pifer është ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë.

“Gjermanët u shmangen përgjithësisht politikave të tilla të forta. Megjithatë, m’u duk interesante që Kancelarja Merkel tha se nuk do të ofrojnë këtë lloj ndihme. Ajo nuk u shpreh se edhe të tjerët nuk duhet ta bëjnë këtë gjë.”

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Abraham Newman thotë se ndryshimet në pikëpamjet për ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, nuk do të thonë se dy udhëheqësit nuk janë së bashku në përballjen me Rusinë.

“Kjo është një kartë që ata përdorin për negocim. Duke thënë se: shikoni, Shtetet e Bashkuara do të rrisin presionin duke ofruar asistencë ushtarake. Ne nuk e dëshirojmë një gjë të tillë. Por, për edhe sa kohë mundemi ta përmbajmë SHBA-në? Kështu që, për mua, kjo nuk është në të vërtetë një çarje në qëndrime, por një taktikë negocimi.”

Presidenti Obama dhe Kancelarja Merkel kanë patur ndryshime domethënëse në qëndrime edhe në të kaluarën. Gjatë vizitës së fundit që zonja Merkel bëri në Uashington, Presidenti Obama u përpoq të riparonte marrëdhëniet pas zbulimit se spiunë amerikanë kishin përgjuar komunikimet e saj personale.

Me këto telashe tashmë të lëna pas tashmë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se këtë radhë do të jetë një takim i qetë me qëllimin e gjetjes së një përqasjeje të përbashkët për krizën në Ukrainë, si dhe në lidhje me tregtinë, kundërterrorizmin, Iranin, dhe çështje të tjera.

XS
SM
MD
LG