Lidhje

Obama: Amerika do të vazhdojë bashkëpunimin me botën


Presidenti Barack Obama përcolli të enjten në Evropë mesazhin e unitetit dhe bashkëpunimit të pandërprerë me Amerikë. Ai theksoi para gjermanëve dhe para të gjithë evropianëve se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin me botën.

“Aleanca jonë me partnerët e NATO-s ka qenë gurëthemeli i politikës së jashtme amerikane për afro 70 vjet,” tha zoti Obama gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelaren Angela Merkel. Ai vlerësoi Gjermaninë si një “partnere e besueshme në arenën globale” dhe shprehu kënaqësinë që të dy vendet kishin mbështetur marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.

Presidenti Obama zgjodhi Gjermaninë si ndalesën kryesore të turneut të tij të fundit para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë mandatin. Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës dhe partneri kryesor evropian në shkëmbimet tregtare me Shtetet e Bashkuara, një anëtare e rëndësishme e NATO-s dhe një vend ku Amerika ka dislokuar mijëra trupa të saj.

Vëzhguesit kanë aluduar se kancelarja gjermane mund të marrë rolin e zërit më liberal në Evropë, ku rrymat nacionaliste janë forcuar vitet e fundit.

Kjo është hera e gjashtë që Presidenti Obama ka vizituar Gjermaninë gjatë mandatit të tij. Para mbërritjes në Gjermani ai përcolli një mesazh të fortë ku nënvizonte angazhimin e Amerikës për bashkëpunim me Evropën.

“Nuk do të ketë kthim në botën para globalizimit,” shpreheshin zoti Obama dhe zonja Merkel në një shkrim të botuar në revistën e përjavshme gjermane WirtschaftsWoche, para mbërritjes së presidentit amerikan në Gjermani. “Këto vlera -- demokracia, drejtësia dhe liria -- formojnë themelet e ekonomive tona të suksesshme. Ua kemi borxh ekonomive dhe popujve tanë, por edhe mbarë komunitetit global, të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë,” shkruanin dy udhëheqësit.

Mesazhi i zotit Obama synonte të siguronte udhëheqësit evropianë, të cilët i kanë përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit që disa i shohin si parathënie e kthimit të Amerikës drejt izolacionizmit, sidomos pas komenteve të zotit Donald Trump gjatë fushatës presidenciale.

Presidenti i zgjedhur gjatë fushatës së tij pat vënë në pikëpyetje rëndësinë e NATO-s, pat lavdëruar votën e britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian dhe ka kritikuar politikat e Kancelares Merkel për pranimin në Evropë të qindra mijëra imigrantëve, pjesa më e madhe e tyre myslimanë.

Analistët thonë se thirrjet e zonjës Merkel për kuota për pranimin e imigrantëve në vendet e BE-së rritën përkrahjen për lëvizjet nacionaliste në të gjithë Evropën, përfshirë Gjermaninë dhe ishin një ndër faktorët që sollën votën për daljen nga BE-ja në Britani.

Presidenti Obama u takua me zonjën Merkel pak pasi mbërriti të mërkurën në Berlin. Udhëheqësi amerikan u ndal në fillim të turneut në Greqi, ku të mërkurën mbajti një fjalim në të cilin theksoi angazhimin e Amerikës ndaj demokracisë në botë. Para fjalimit ai kishte vizituar Akropolin, një simbol i demokracisë perëndimore.

Zoti Obama përgëzoi popullin grek për humanizmin që treguan në përgjigje të fluksit të refugjatëve, megjithë vështirësitë ekonomike me të cilat përballet vendi i tyre si rezultat i krizës së borxhit.

Të premten zoti Obama do të takohet me udhëheqës të Britanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës para se të niset për në Peru ku do të marrë pjesë në Takimin për Bashkëpunim Ekonomik në Azi-Paqësor.

XS
SM
MD
LG