Lidhje

Gjermanët vlerësojnë vizitën e Presidentit Obama në Berlin


Berlinezët vlerësojnë vizitën e lamtumirës së Presidentit Obama në Gjermani. Shumë prej tyre thonë se do t’u mungojë qëndrueshmëria e tij në politikë dhe shpresojnë se edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të jetë një partner i besueshëm i Evropës.

Kalimtarët në qendrën e kryeqytetit të Gjermanisë, vlerësojnë vizitën e lamtumirës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili po qëndron në Hotelin Adlon, pranë Portës simbolike të Brandenburg-ut.

“Sigurisht që do na mungojë, në veçanti prej presidentin të ri të zgjedhur. Disa e mendojnë edhe si kontradiktor, por mendoj se në tërësi ishte një president shumë i mirë, në veçanti kur e krahason me të riun që të lë një ndjesi jo të rehatshme. Sidoqoftë u tha se zoti Obama po kujdeset duke e informuar zotin Trump. Do na mungojë.”

Jannis Ludewig thotë se Obama përmbushi kriteret më të rëndësishme për një politikan, “qëndrueshmëri dhe besueshmëri”.

“Me Obamën patëm atë që Helmut Kohl e ka quajtur një president të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Shpresojmë të jetë e njëjta edhe me presidentin e ri, megjithëse nuk e dimë ende. Pati spekullime kur u zgjodh, por ai rezultoi një partner i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, që është shumë e rëndësishme në politikë.”

Vizita dy-ditore është pjesë e turit të lamtumirës në Evropë. Zoti Obama takohet sot me zonjën Merkel dhe nesër me udhëheqësit e Francës, Spanjës, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Në këtë udhëtim të fundit përpara se pasardhësi Donald Trump të marrë detyrën, zoti Obama synon të sigurojë aleatët evropianë, të cilët janë të shqetësuar nga ndërlikimet e presidencës Trump.

Zoti Trump përfitoi mbështetje nëpërmjet premtimeve për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, premtimit për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në SHBA, si dhe rrëzimit të marrëveshjeve të tregtisë që ai thotë se dëmtojnë punëtorët amerikanë.

Zoti Obama i kundërshtoi këto pozicione dhe po lufton tashmë për të ruajtur vazhdimësinë e arritjeve të tij për sigurimet shëndetësore, ndryshimet klimatike dhe diplomacinë bërthamore, të cilat zoti Trump ka premtuar t’i zhbëjë.

XS
SM
MD
LG