Lidhje

Obama, Romney fushatë në Ohajo


Presidenti amerikan Barack Obama ka zgjeruar epërsinë e tij ndaj republikanit Mitt Romney në shtetet e Ohajos dhe Floridës, dy prej shteteve më të rëndësishme në garën presidenciale të këtij viti.

Një sondazh i publikuar sot tregon se presidenti Obama ka më shumë se 50 për qind përkrahje në të dy shtetet, pjesë e grupit të të ashtuquajturave shtete të lëkundura që pritet të përcaktojnë zgjedhjet e 6 Nëntorit.

Presidenti udhëheq ndaj zotit Romney 53 me 44 për qind në Florida dhe 53 me 43 për qind në Ohajo.

Sondazhet e Universiteti të Quinnipiac, CBS News dhe New York Times tregojnë gjithashtu se zoti Obama ruan epërsinë edhe në një shtet të tretë të lëkundur, në Pennsylvani, me mbështetjen e 54 për qind të të anketuarve krahasuar me 42 për qind të zotit Romney.

Zoti Romney u përball me kritika të gjera, pas një video të fshehtë të shfaqur javën e kaluar, e cila e tregon atë duke u thënë donatorëve se 47 për qind e amerikanëve, të cilët ai tha se do të votojnë për presidentin Obama, besojnë se janë "viktima" dhe se kanë të drejtë për të patur mbështetjen e qeverisë.
XS
SM
MD
LG