Lidhje

Presidenti Obama pret mbretin saudit


Presidenti amerikan Barack Obama thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në përpekjet kundër aktivitetit terrorist në Lindjen e Mesme dhe në gjithë botën, përfshirë betejën kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë të njëjtin shqetësim si edhe Arabia Saudite për Jemenin dhe nevojën për të ngritur një qeveri gjithëpërfshirëse dhe funksionale atje, si edhe shqetësimet saudite për krizën në Siri.

Zoti Obama u bëri komentet para takimit me mbretin Saudit Salman në Shtëpinë e Bardhë sot, në vizitën e parë të udhëheqësit arab në Shtetet e Bashkuara që kur mori fronin në janar, pas vdekjes së Mbretit Abdullah.

Presidenti amerikan tha se ai dhe Mbreti do të bisedonin edhe për zbatimin e marrëveshjes me Iranin. Arabia Saudite ka pasur rezerva për marrëveshjen dhe e sheh Iranin si rival rajonal.

Bisedimet mes Presidentit Obama dhe mbretit saudit mbahen në një moment shumë delikat, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara lufton ekstremistët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri dhe një koalicion i drejtuar nga sauditët po lufton kryengritësit Houthi në Jemen të mbështetur nga iranianët.

XS
SM
MD
LG