Lidhje

Presidenti Obama dhe kontrolli i armëve


Presidenti amerikan Barak Obama do të takohet sot me zyrtarët e tij të lartë të zbatimit të ligjit, para shpalljes së masave ekzekutive mbi shtrëngimin e rregullave federale për tregëtimin e armëve. Presidenti Obama do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch, Drejtorin e FBI-së, James Comey dhe zyrtarët të tjerë të sigurisë për të diskutuar mbi masat që ai mund të marrë në përpjekje për të frenuar dhunën me armë. Veprimet e Presidentit pritet të kundërshtohen nga shumica e ligjvënësve republikanë dhe kandidatëve republikanë për president.

Fokusi i presidentit mbi dhunën me armë vjen pas një serie sulmesh vdekjeprurëse në mbarë Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, duke përfshirë masakrën e muajit të kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, ku humbën jetën 14 persona.

Presidenti Barack Obama thotë:

"Në mbarë Amerikën, të mbijetuarit e dhunës nga armët dhe ata që kanë humbur një fëmijë, një prind, ose një bashkëshort shënojnë përvjetorët e këtyre ngjarjeve të tmerrshme çdo ditë, por Kongresi ende nuk ka bërë asgjë për të parandaluar atë që u ka ndodhur atyre dhe familjeve të tjera".

Pas takimit me Prokuroren e Përgjithshme, Loretta Lynch dhe Drejtorin e FBI-së Jame Comey, Presidenti Obama pritet të njoftojë masa ekzekutive për zgjerimin kontrolleve ndaj blerësve të armëve. Duke punuar përmes urdhrave ekzekutivë, presidenti nuk do të ketë nevojë për mbështetjen e Kongresit, i cili kontrollohet nga ligjvënës të Partisë Republikane, shumica e të cilëve i kundërshtojnë kufizimet ndaj armëmbajtjes. Por çdo veprim i Presidentit Obama ka të ngjarë të përballet me sfida ligjore.

Donald Trump, kandidat republikan për president thotë:

"Ne do ta shpëtojmë Amendamentin e Dytë të kushtetutës i cili është duke u sulmuar".

Kandidati republikan për president, i cili kryeson anketat, thotë se civilët e armatosur do të mund ta mbronin veten nga terroristët në San Bernardino dhe në Francë.

Donald Trump, kandidat republikan për president, shprehet:

"Ju e dini se çfarë bënë ata (terroristët) në Paris. I qëlluan viktimat një nga një. Ata ishin krejtësisht të pambrojtur".

Bernie Sanders, kandidat demokrat për president, shprehet:

"Populli amerikan është i tmerruar nga vrasjet masive me armë që ne kemi parë gjatë dy viteve të fundit".

Kandidatët demokrat për president mbështesin fuqishëm kufizimet ndaj armëmbajtes.

Bernie Sanders, kandidat demokrat për president

"Ne duhet të zgjerojmë dhe të forcojmë kontrollet e menjëheshme të historisë së blerësve të armëve për të shmangur rënien e tyre në duart e njerëzve që nuk duhet të kenë armë, kriminelët dhe personat me sëmundje mendore nuk duhet të posedojnë armë. Unë mendoj se presidenti është duke u përpjekur ta bëjë këtë".

Presdenti Obama do të diskutojë çështjen e kontrollit të armëve në një takim me qytetarët të organizuar nga kanali televiziv CNN.

Kjo ngjarje vjen disa ditë përpara se presidenti Obama të mbajë fjalimin e tij të fundit në një sesion të përbashkët të dy dhomave të Kongresit mbi gjendjen e vendit, më 12 janar. Ai do të largohet nga posti në janar të vitit 2017, pas tetë vjetësh në detyrë dhe është duke u përqëndruar në gjërat që ai mund të realizojë në vitin e tij të fundit.

XS
SM
MD
LG