Lidhje

Presidenti Obama mban sonte një fjalim të rëndësishëm për terrorizmin


Presidenti amerikan Barack Obama mban të dielën në mbrëmje një fjalim të rëndësishëm televiziv, me shpresën për t’i qetësuar amerikanët nga frika e sulmeve terroriste. Në fjalimin e Presidentit pritet të parashtrohet fushata e Shteteve të Bashkuara kundër “shtimit të kërcënimit nga terrorizmi”.

Presidenti po ashtu pritet t’i informojë amerikanët për të rejat më të fundit nga hetimi që po zhvillohet ndaj vrasjeve masive në Kaliforni javën e kaluar. Në atë sulm amerikano-pakistanezi Syed Rizwan Farook dhe gruaja e tij pakistaneze Tashfeen Malik vranë 14 persona dhe plagosën 21 të tjerë, pasi qëlluan me armë zjarri në një mbrëmje festive të zyrtarëve të qeverisë lokale në San Bernardino.

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Loretta Lynch, tha në një intervistë që dha të dielën televizionin NBC, se Presidenti Obama do t’i bëjë thirrje amerikanëve “të evidentojnë tiparet e tyre më të mira dhe të mos dorëzohen para frikës.”

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Obama do të diskutojë të dielën në mbrëmje për natyrën e kërcënimit terrorist, “se si ai ka evoluar dhe si ne do ta mundim atë.”

Presidenti Obama pritet të përsërisë bindjen e tij të thellë se kryengritësit e Shtetit Islamik “do të munden dhe se Shtetet e Bashkuara duhet “të tregojnë vlerat dhe përkushtimin tonë të palëkundur ndaj drejtësisë, barazisë dhe lirisë, për të triumfuar ndaj grupeve terroriste që përdorin dhunën për të çuar përpara ideologjinë e tyre shkatërrimtare”.

Presidenti Obama do të flasë nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë, prej nga presidentët amerikanë kanë mbajtur disa nga fjalimet më të rëndësishme. Hera e fundit kur Obama dha një fjalim nga Zyra Ovale, ishte në vitin 2010, kur ai njoftoi fundin e operacionit luftarak të trupave tokësore amerikane në Irak.

Ndërkohë, FBI-ja po i vazhdon hetimet për të zbuluar motivin e sulmeve të Kalifornisë.

Prokurorja Lynch tha se hetuesit po përpiqen “të mësojnë gjithshka” për çiftin, “se çfarë i shtyu ata të bëhen vrasës”. Ajo tha se autoritetet po gjurmojnë për të shkuarën e Malikit në Pakistan, marrëdhënien e saj me Farook dhe përse ata e kryen sulmin në qendrën qeveritare që ofronte shërbime për personat me probleme zhvillimi.

Por ajo shtoi se deri tani, hetuesit nuk besojnë se çifti ishte pjesë e një rrjeti më të madh terrorist.

XS
SM
MD
LG