Lidhje

Ligji i kujdesit shëndetsor në shtetet me shumicë republikane


Gati gjysma e shteteve amerikane kanë kundërshtuar një element kyç të ligjit të ri të kujdesit shëndetsor. Këto shtete, gati të gjitha me shumicë të fortë republikane, citojnë koston e papërballueshme si arsye për të mos marrë pjesë në këtë program, por siç theksohet në materialin në vazhdim, duke mos marrë pjesë, shtetet si Karolina e Jugut mund të humbasin miliarda dollarë fonde federale.

Në Klinikën Falas Anderson të Karolinës së Jugut njerëzit presin në rradhë që në mëngjes për t’u vizituar. Klinika trajton më shumë se 2,000 njerëz në vit. Shumica e pacientëve, si Ronnie Green, i cili është 60 vjeç dhe jeton me një pension të vogël, ose nuk mund të punojnë ose kanë të ardhura pakta.

“Vuaj nga nervat. Qaj gjithë kohën dhe dridhem. Nuk mund të mbaj asgjë, më janë shkatërruar nervat”.

Në bazë të ligjit të ri të kujdesit shëndetosor, thuajse të gjithë këtyre pacientëve do t’u mbulohej kostoja e shërbimit shëndetsor nga programi Medicaid, i financuar nga qeveria për të varfërit. Por meqë Karolina e Jugut zgjodhi të mos e zgjeronte programin Medicaid, klinikat falas janë e vetmja alternativë për shumë njerëz. Barb Baptista, drejtoresha e klinikës, thotë se klinikës i mungojnë shumë aspekte të domosdoshme për t’u kujdesur për numrin në rritje të pacientëve.

“Dhomat e ekzaminimit janë vetëm një pjesë e problemit. Personeli mjeksor, i gatshëm për të punuar vullnetarisht në klinikat falas si dhe ana financiare për të përballuar buxhetin tonë përbëjnë një shqetësim të madh”.

Klinika i dërgon pacientët e sëmurë rëndë në urgjencën e spitalit AnMed, shpesh me taksi dhe jo ambulancë, për të kursyer para. Spitalet, që pranojnë fonde federale, u kërkohet me ligj të kujdesen për këta pacientë edhe nëse individi nuk mund të paguajë.

Por në bazë të ligjit të ri të kujdesit shëndetësor do të eliminohen pak nga pak programet që kompensojnë spitalet për disa nga këto shpenzime, duke i zëvëndësuar me mbulimin e më shumë njerëzve në programin Medicaid.

Bill Manson, i cili drejton programin AnMed Health, thotë se vendimi i Karolinës së Jugut për të mos zgjeruar programin Medicaid imponon tek spitalet të gjitha shkurtimet e ligjit, por asnjë prej përfitimeve.

“Duke mos marrë pjesë në zgjerimin e Medicaid, ne përballemi me një stuhi të sigurtë: të gjitha reduktimet që përfshihen në ligj, por jo shtimin e mbulimit të të pasiguruarve”.

Në bazë të ligjit të ri, fondet federale do të paguajnë 100 për qind të kostove shtesë të Medicaid dhe deri në vitin 2020 do të reduktohen gradualisht në më pak se 90 për qind. Por konservatorët si Ashley Landess e Këshillit të Politikës së Karolinës së Jugut, thotë se këto kosto i shtohen një deficiti buxhetor të papërballueshëm.

“Korregjimi nuk duhet të jetë vazhdimi i ciklit të varësisë nga fonde, që në fakt vijnë kryesisht nga borxhet, por shkurtimi i kësaj varësise dhe kthimi i kontrollit të shëndetit në duart e mjekëve dhe pacientëve”.

Në qoftë se nuk arrihet një farë kompromisi në shtetet si Karolina e Jugut, numri i të varfërve pa kujdes shëndetësor do të vazhdojë të rritet dhe spitalet do të përballen me rreziqe financiare në rritje.
XS
SM
MD
LG