Lidhje

Raport i OECD për rritjen ekonomike


Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e njohur me inicialet OECD, thotë se parashikimi për rritje në ekonomitë më të zhvilluara të botës është forcuar. Kjo organizatë ndërkombëtare për kërkime ekonomike thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do të udhëheqin rritjen mes ekonomive të përparuara ndërkohë që parashikimet nuk janë dhe aq të mira për Evropën.

Të dhëna të reja qeveritare tregojnë se ekonomia amerikane u zgjerua me shpejtësi më të madhe vitin e kaluar nga sa parashikohej. Besohet se do të jetë edhe më mirë gjatë 2013-tës.

OECD thotë se ekonomia më e madhe e botës do të ketë një rritje vjetore prej 3.5 përqind gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke rënë në rreth 2 përqind nga prilli në qershor.

Japonia do të ketë rritje 3.2 përqind nga janari në mars dhe pastaj rritja do jetë më e vogël me 2.2 përqind në tremujorin e dytë. Pier Carlo Padoan punon për Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

“Parashikimi tregon përparime të ekonomisë globale, kryesisht në Shtetet e Bashkuara e Japoni, dhe më pak në zonën evropiane.”

Zoti Padoan thotë se megjithëse Evropa ka zgjidhur me sukses disa disbalanca të shkaktuara nga kriza rajonale e borxheve, parashikimi për eurozonën mbetet si pozitiv edhe negativ.

“Gjermania ka një rritje të shëndetshme me mbi 2 përqind. Por Franca, ekonmia e dytë më e madhe, mund të mos rritet fare gjatë këtij viti dhe ndoshta do të fillojë të rritet në pjesën e fundit të vitit. Italia vazhdon të jetë në recesion dhe ky recesion po tkurret çka do të thotë se Italia mund të shohë rritje pozitive në fund të vitit.”

Një raport tjetër nga organizata me qendër në Paris ofron një pamje më optimiste për Kinën dhe ekonomitë në zhvillim. Pavarësisht një numri sfidash të mundëshme financiare dhe mjedisore në vitet që vijnë, OECD pret që Kina të rritet mes 8 dhe 9 përqind këtë vit.

Me këtë ritëm, thotë raporti, Kina mund të tejkalojë Shtetet e Bashkuara dhe të bëhet ekonomia më e madhe e botës aty nga viti 2016.
XS
SM
MD
LG