Lidhje

OKB: Ende ka armatim të rëndë në qytetet e Sirisë


Aktivistët në Siri thonë se nga luftimet e djeshme në provincën e Deir Ezzorit janë vrarë 12 ushtarë dhe një civilë. Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se nga një sulm me artileri u vranë 10 njerëz në provincën veriperëndimore të Idlibit.

Numri i të vrarëve nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.

Gjithashtu, dje një e dërguar e posaçme e OKB-së tha se të paktën 34 fëmijë janë vrarë në Siri që nga nisja e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga zoti Annan në 12 prill. Ajo u bëri thirrje palëve në Siri që të heqin dorë nga “ taktikat të cilat rezultojnë në vrasje dhe plagosjen e fëmijëve”.

Ndërkaq presidenti Obama ka ashpërsuar masat ndaj kompanive të huaja dhe njerëzve që përpiqen të shmangin sanksionet ndaj Sirisë dhe Iranit.

Shefi i forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Harve Ladsous tha se 24 vëzhguesit të cilët tanimë ndodhen në Siri kanë njoftuar se ka ende shumë armatim të rëndë nepër qytete dhe kjo përbën shkelje të marrëveshjes për paqe të arritur nga ndërmjetsuesi i Lidhjes arabe i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan. Ai tha:

“Po, vëzhguesit e tanë ushtarak po shohin një numër mjetesh të blinduara. Ata po shohin një numër të madh topash të llojit Howitzer dhe armë të tjera ushtarake në shumicën e vendeve.”

Landsou tha se niveli i dhunës ka qenë shumë mizor dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të respektojnë armëpushimin dhe t’i ndalojnë veprimtaritë e dhunshme. Ai tha se vëzhguesit kanë njoftuar shkelje të armëpushimit nga të dyja palët si nga opozita ashtu edhe nga ana e forcave qeveritare.

“Mendoj se të dy palët kanë shkelur armëpushimin. Nuk mund të themë se kush më shumë e kush më pak. Tani për tani nuk mund të themë shumë mbi këtë sepse neve atje kemi një numër të kufizuar vendesh ku kemi dërguar vëzhgues. Fakti është se shkelja e armëpushimit po bëhet nga të dyja palët. ”

Dje, mjetet shtetërore siriane të informacionit njoftuan për disa sulme kundër ndërtesave të qeverisë në qytetin verior të Idlibit nga ku gjeten vdekjen kryesisht forcat e sigurimit, kurse opozita njoftoi se bombardimet e forcave qeveritare vranë disa civil në qytetin Idlib dje. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara po punojnë për dërgimin në Siri të një misioni të plotë vëzhguesish. Shefi i forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, Harve Ladsous tha se tani për tani Kombet e Bashkuara kanë vetëm 24 vëzhgues në Siri, por pret që ky numër të shtohet shumë shpejtë me dislokimin e plotë të rreth 300 prej tyre deri në fund të këtij muaji.

Zoti Harve Ladsous e pranoi se Kombet e Bashkuara gëzojnë angazhimin e fortë të vendeve anëtare për gjysmën e forcave deri tani. Por megjithë numrin e vogël të vëzhguesve, ai është i bindur se deri nga fundi i këtij muaji numri i vëzhguesve do të arrijë në 300.

Ky mision po ballafaqohet me vështirësi të tjera, përfshirë aftësinë për të lëvizur lirsht në Siri. Landsou tha se OKB-ja ende po zhvillon bisedime rreth një marrëveshjeje me Damaskun për sa i përket çështjes se helikopterët e kujt duhen të përdoren nga vëzhguesit; të Sirisë apo të Kombeve të Bashkuarat për të lëvizur në këtë vend.

Ekzistojnë edhe probleme të sigurisë. Në një vend ku më tepër se 9 mijë veta janë vrarë gjatë 13 muajve të kaluar, vëzhguesit janë të paarmatosur dhe mbrohen nga ushtria siriane madje edhe kur hynë në zona të kontrolluar nga opozita. Ata gjithashtu po veprojnë në një vend ku armëpushimi ka ekzistuar vetëm në letër.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së autorizoi misionin vëzhgues për një dislokim fillestar prej 90 ditësh. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mund të mos votojnë për vazhdimin e këtij mandati në qoftë se nuk ndërpriten krejtësisht luftimet, të realizohet plotësisht lira e lëvizjes për vëzhguesit dhe të bëhet një përparim i vërtetë në pikat e tjera të planit të paqes të zotit Kofi Annan.

XS
SM
MD
LG