Lidhje

OKB dhe ndryshimet klimatike


Zyrtarë nga e gjithë bota janë duke u përgatitur për konferencën për ndryshimet klimatike që është në plan të mbahet në Francë. Pas dy dekada negocimesh ekziston shpresa që të arrihet një marrëveshje universale për të kufizuar prodhimin e gazit karbonik, që ka efekte të dëmshme për ngrohjen globale dhe për vetë ekzistencën e njerëzimit.

Përpara ndërtesës ku zhvillohej një takim përgatitor për konferencën klimatike, aktivistët francezë protestuan kundër ndërtimit të një aeroporti të ri në Francën perëndimore. Shumë prej tyre kërkuan që Franca të ndjekë shembullin e Presidentit amerikan Barack Obama, i cili hodhi poshtë një projekt naftësjellësi për shkak të arsyeve mjedisore.

“Kemi dalë për t’i kërkuar Francës të bëjë të njëjtën gjë me këtë projekt,” thotë aktivisti Barthelemy Kamedeskas.

Udhëheqësit francezë organizuan një takim 3-ditor me zyrtarë nga 60 vende për të shqyrtuar hapësirat për një marrëveshje të mundshme. Një nga çështjet më të vështira ka qenë financimi i vendeve në zhvillim për t’i ndihmuar që të përdorin burime energjitike të rinovueshme.

“Afrika ka plot burime të rinovueshme energjie dhe potencial, të cilin duhet ta shfrytëzojmë sa më parë. Brenda 10 viteve të ardhshme, Afrika duhet të elektrifikojë të gjitha zonat rurale, të krijojë vende pune dhe të ndihmojë në uljen e emigracionit drejt Evropës,” tha Kryeministri i Etiopisë, Hailemariam Desalegn.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, foli për lidhjen ndërmjet ndryshimeve klimatike globale dhe sigurisë.

“Në Nigeri, ndryshimet klimatike nuk shkaktuan krijimin e grupit terrorist Boko Haram, por thatësira e rënda që pësoi vendi dhe pamundësia e qeverisë për ta përballuar, krijuan kushtet ekonomike dhe politike që u shfrytëzuan nga ekstremistët për të kapur fshatra, për të vrarë mësuesit dhe për të marrë peng qindra vajza shkolle.”

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, u shpreh në Uashington se masat për uljen e karbonit nuk do të dëmtojnë ekonominë.

“Kostot e mosveprimit kanë efekte katastrofike që nuk mund të maten me terma ekonomike.”

Kundërshtarët e planit të Presidentit Obama për të ulur çlirimin e gazit karbonik thonë se kjo do të shkaktojë humbjen e vendeve të punës në industrinë minerare dhe do të rrisë kostot e energjisë.

XS
SM
MD
LG