Lidhje

Opozita siriane, takime me Këshillin e Sigurimit


Udhëheqësit e koalicionit kryesor opozitar sirian u shprehën para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se janë të përkushtuar ndaj demokracisë dhe kundërshtojnë ekstremizmin. Bisedimet u zhvilluan në takimin jozyrtar mes antarëve të Këshillit të Sigurimit dhe opozitës siriane.

Ambasadori britanik Mark Lyall Grant, i cili organizoi takimin e djeshëm, tha se fokusi i tij ishte gjetja e mënyrave për të ndalur luftën e egër civile dhe për të ndihmuar viktimat.

"Dëgjuam një mesazh shumë pozitiv nga Presidenti al-Jarba, i cili bëri një deklaratë të fortë mbi angazhimin ndaj unitetit në Siri, ndaj demokracisë dhe pluralizmit. Ai dënoi ekstremizmin dhe terrorizmin”.

Ahmad al-Jarba, presidenti i sapo-zgjedhur i Koalicionit Kombëtar të Sirisë, udhëhoqi delegacionin e opozitës në takim.

Për muaj të tërë, komuniteti ndërkombëtar dhe kohët e fundit Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përpjekur të sjellin përfaqësues të Presidentit sirian Bashar al-Asad dhe të opozitës në një takim në Gjenevë. Synimi ishte të gjendej një zgjidhje politike për konfliktin dy vjeçar që ka lënë të vdekur më shumë se 100 mijë vetë.

Takimi do të ishte i dyti që pas bisedimeve të një viti më parë, kur pjesëmarrësit ranë dakord për atë që njihet si Komunikata e Gjenevës, e cila ka për synim të nxisë dialogun mes palëve.

Komunikata bazohet mbi idenë e formimit të një qeverie tranzicioni. Fuqitë perëndimore dhe opozita thonë se gjuha e komunikatës e tregon qartë se Presidenti Bashar al-Assad dhe njerëzit e afërt të tij do të jenë të përjashtuar nga qeveria e përkohëshme. Qeveria e Assadit dhe aleatja e saj kryesore, Rusia, nuk janë dakord. Kjo çështje ka qenë ndër pengesat kryesore për zhvillimin e takimit të dytë të Gjenevës.

Ambasadori rus Vitali Churkin thotë se po inkurajon opozitën të marrë pjesë në takim pa kushte:

"Me keqardhje vërej se ekziston ende një përpjekje, si nga udhëheqësit e Koalicionit Kombëtar, ashtu edhe nga disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, për të ndërlikuar gjërat duke interpretuar në forma të ndryshme Komunikatën e Gjenevës para fillimit të negociatave. Kjo është një krizë politike tepër e ndërlikuar”.

Presidenti i Koalicionit al-Jarba tha në komentet për shtyp se është e nevojshme të ushtrohet presion më i madh ndërkombëtar për ta detyruar qeverinë e Assadit të pranojë tranzicionin politik. Zoti Al-Jarba tha se i ka bërë thirrje këshillit të gjejë mënyra për të marrë nga qeveria siriane miratimin e Komunikatës së Gjenevës dhe nëse Damasku zyrtar e kundërshton komunikatën, thotë ai, Këshilli duhet të vendosë sanksione.

Zoti Al-Jarba u shpreh qartë se opozita është e gatshme për një zgjidhje përmes negociatash, por vetëm nëse bisedimet bazohen në Komunikatën e Gjenevës, një pikë ku palët janë ende larg kompromisit.
XS
SM
MD
LG