Lidhje

Abuzimet seksuale nga paqeruajtësit


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon tha sot se “nevojiten veprime të guximshme dhe vendimtare” për t’u dhënë fund abuzimeve seksuale nga paqeruajtësit e OKB-së.

Në komentet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zoti Ban tha se abuzime të tilla, ku vetëm vitin e kaluar janë regjistruar ankesa për 69 raste, minojnë besimin e popullatës që synon të mbrojë OKB-ja.

“Këto veprime tradhëtojnë vlerat dhe parimet që synon të përhapë OKB-ja dhe njollosin kredibilitetin e operacioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe të vetë organizatës në përgjithësi”.

Misioni i OKB-së në Republikën e Afrikës Qendrore është bërë objekt akuzash për abuzime dhe shfrytëzim seksual. Vjet ka pasur ankesa për 22 raste dhe ankesat vazhdojnë të vijnë edhe këtë vit.

Shefi i OKB-së ka ndjekur politikën “zero tolerancë” kundër këtyre akteve, por problemi ka vazhduar.

Në një raport këtë muaj mbi këtë shqetësim, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së propozoi nisma të reja për të forcuar përgjigjen e OKB-së, përfshirë masat për të ndalur kulturën e mosndëshkimit, ndihmën për viktimat dhe përmirësimin në ndjekjen penale dhe ndëshkimin për autorët e këtyre akteve.

XS
SM
MD
LG