Lidhje

Gazi nervor, sarin, ishte përdorur në Siri


Një hetim i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, konfirmoi të premten se gazi nervor, sarin, është përdorur në sulmin vdekjeprurës më 4 prill në një qytet sirian.

Sulmi në qytetin Khan Sheikhoun në krahinën siriane të Idlibit, la pas vetes më shumë se 90 të vdekur, përfshirë gra e fëmije dhe nxiti zemërim gjithandej nëpër botë derisa fotografitë dhe videot e shpërndara treguan fëmijët që po përpëliteshin derisa po vdisnin para kamerave.

“I dënoj fuqishëm këto mizori, që bien ndesh me normat e konventës për armët kimike", tha drejtori i përgjithshëm i organizatës, Ahmet Uzumcu. "Autorët e këtij sulmi të lemerishëm duhet të japin përgjegjësi për krimet e tyre", tha ai në një deklaratë.

Hetimet nuk përcaktuan fajtorët. Gjetjet do të përdorën nga një ekip i përbashkët hetuesish të kësaj organizate dhe Kombeve të Bashkuara për të vlerësuar se kush ishte përgjegjës.

Në një deklaratë të Departamentit amerikan të shtetit, thuhet se "faktet pasqyrojnë një dëshmi të përdorimit të neveritshëm dhe shumë të rrezikshëm të armëve kimike nga regjimi i Asadit".

Presidenti Donald Trump, ishte mbështetur në imazhet e pasojave të sulmit në Khan Sheikhoun, kur nisi sulmin ndëshkues me raketa dy ditë më pas, në bazën ajrore të kontrolluar nga qeveria siriane, prej nga zyrtarët amerikanë thanë se ushtria e Sirisë kishte kryer sulmin kimik.

Ai ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë amerikan mbi qeverinë siriane dhe urdhri më dramatik ushtarak i presidentit Trump, që kur ai mori postin disa muaj më parë.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka mohuar të ketë përdorur armët kimike. Aleati i tij, presidenti rus Vladimir Putin, tha më herët gjatë këtij muaji se ai besonte që sulmi ishte "një provokim" i organizuar nga njerëz që donin ta fajësonin atë (Assadin) për këtë".

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Organizata për ndalimin e armëve kimike ishin në merak për të mbrojtur metodologjinë e hetimeve. Hetuesit nuk e vizituan vendin e sulmit për shkak të rrezikut, por analizuan mostrat e marra nga viktimat dhe të mbijetuarit dhe intervistuan të mbijetuarit.

Qeveria siriane ju bashkua Organizatës për armët kimike në vitin 2013, pasi u fajësua për një sulm vdekjeprurës më gaz helmues në një lagje të Damaskut. Atëbotë qeveria e Assdit deklaroi rreth 1 mijë e 300 tonelata të armëve kimike që u shkatërruan në një operacion të pashembullt ndërkombëtar.

Megjithatë, organizata asnjëherë nuk ka mundur të konfirmojë nëse Siria kishte më shumë armë kimike sesa ato që kishte deklaruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG