Lidhje

Kriza e opiodeve, si do të financohet përgjigja federale?


Ekspertët e shëndetit publik e mirëpritën vendimin e Presidentit Donald Trump për shpalljen e epidemisë së opioideve një emergjencë kombëtare. Por ata thonë se kriza ka nevojë për fonde shtesë, në mënyrë që të trajtohet siç duhet. Shpallja e këtij vendimi u mundëson shteteve, që brenda një periudhe 90 ditore të përdorin fondet federale të emergjencës për të luftuar krizën. Megjithëse kjo periudhë mund të zgjatet, kjo nuk do të thotë se do të mbështetet me një buxhet afatgjatë. Përveç kësaj, egziston frika se burimet e emergjencës mund të shterojnë, për shkak të kostos së fatkeqësive natyrore, apo të një lloji tjetër.

Ndërsa njoftoi dje masën e emergjencës, Presidenti Trump tha se amerikanët përdorin më shumë opioide se çdokush tjetër në botë. Kriza e opioideve në Shtetet e Bashkuara ka qenë problem për dekada, por është katërfishuar që nga viti 1999.

"Askush nuk ka parë një situatë si kjo që shfaqet sot. Si amerikanë nuk mund ta lejojmë që kjo gjendje të vazhdojë. Është koha të çlirojmë komunitetet tona nga murtaja e varësisë prej drogës. Ne mund të jemi brezi që do t’i japë fund epidemisë së opioideve", tha presidenti Donald Trump.

Edhe gjatë fushatës së tij zgjedhore, Presidenti Trump u zotua për të luftuar krizën, duke përfshirë betejën ndaj trafikantëve të drogës dhe vendosjen e kontrolleve të rrepta kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të drogave të paligjshme. Por ndërkohë, shtetet kanë nevojë për fonde, për të trajtuar miliona njerëz të varur nga opioidet. Vendimi i presidentit Trump u krijon atyre fleksibilitin që të zhbllokojnë burime shtesë për të trajtuar epideminë dhe për të shfuqizuar rregulla e kufizime që vonojnë veprimet në këtë drejtim.

Si pjesë të kësaj përgjigjeje emergjente mbi situatën, do të njoftojmë një politikë të re për të kapërcyer një rregullore kufizuese të vitit 1970 që pengon shtetet të orfrojnë kujdes shëndetësor për personat që vuajnë nga varësia nga droga në disa institucione trajtimi me më shumë se 16 shtretër”, tha presidenti Donald Trump.

Mbështetësit e përshëndetën vendimin si një hap në drejtimin e duhur, por paralajmëruan se fondet federale të emergjencës po shterojnë për shkak të kostos së fatkeqësive natyrore.

"Kjo është një epidemi që prek shumë njerëz dhe po shkakton dëme të tjera të mëdha. E kemi fjalën për visurin e HIV-it që është i lidhur me të, hepatitin C, me fëmijët, prindërit e të cilëve për fat të keq kanë vdekur nga mbidoza. Një numër rekord i tyre po hyjnë në qendrat e rehabilitimit. Pra, situata po tejkalon mundësitë që kanë bashkitë”, thotë Albert Lang, Trust for America’s health”.

Ekspertët thonë se hapi tjetër në betejën kundër krizës së opioideve është që Kongresi dhe të tjera institucione të gjejnë se nga do të vijnë financimet shtesë, sepse zhvendosja e fondeve nga një krizë tek tjetra, do të prodhonte vetëm probleme të reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG