Lidhje

Opiumi në vendet e Azisë Juglindore


Në raportin më të fundit të Kombeve të Bashkuara për prodhimin e opiumit në vendet e Azisë Juglindore thuhet se kultivimi i kësaj bime mbetet i përqëndruar në Majnamar (i njohur më parë si Birmania) dhe në Laos. Sipas raportit, prodhimi i opiumit ka qënë i të njejtit nivel si një vit më parë Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ron Corben:

Në raportin e përvitshëm të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimet në Azinë Juglindore, të publikuar të hënën, thuhet se vitin e kaluar u prodhuan mbi 760 tonë opiumi kryesisht në Majnamar, si dhe Laos, të kultivuara në një sipërfaqe mbi 63 mijë hektarë. Në raportin e OKB-së thuhet se megjithëse prodhimi i opiumit në rajon ndryshoi pak nga viti i kaluar, ka një kërkesë të vazhdueshme sidomos nga përdoruesit e tij në Kinë.

Dhjetra mijëra fermerë, shumë prej tyre të varfër, e kanë të varur jetesën tek të ardhurat nga kultivimi i bimës së opiumit. Ata jetojnë në rajone të izoluara, me shumë pak alternativa të tjera për punë.

Rajoni kufitar i Majnamarit, Laosit dha Tailandës, i njohur me termin "trekëndëshi i artë", është rajoni i dytë më i madh i botës për prodhimin e opiumit, pas Afganistanit.

Jeremy Douglas, përfaqësues rajonal i OKB-së për vendet e Azisë Juglindore dhe Paqësorit, thotë se megjithë stabilizimin e prodhimit të opiumit, prirja afatgjatë në vitet e fundit ka qenë për një rritje të vazhdueshme të prodhimit:

"Ky është viti i tetë radhazi që prodhimi i opiumit shënon rritje në "trekëndëshin e artë". Prodhimi është përqëndruar së tepërmi në provincëcn Shan të Majnamarit, ku në tetë vitet e fundit prodhimi është trefishuar. Në Laos prodhimi është përqëndruar më tepër në tre provinca, Phongsali, Houaphan dhe Xiangkhoang."

Në Majnamar, prodhimi më i madh i opiumit realizohet në disktriktin veriore Shan, pranë kufirit me Kinën, ku grupet etnike bazohen tek fondet e përdoruesve për të mbështetur një kryengritje shumë-vjeçare. Autoritetet thonë se kimikatet përmes të cilave prodhohet heroina nga opiumi, futen kontrabandë nga Kina dhe Vietnami.

Në raportin e OKB-së thuhet se në mbarë Azinë aktualisht ka mbi 3.3 milionë përdorues të heroinës, pjesa më e madhe të përqëndruar në Kinë, ku ka rreth 1.9 milionë përdorues të regjistruar. Kina pasohet nga Vietnami, Majnamari, Malajzia, Indonesia dhe Tajlanda.

Në raport thuhet se kërkesa për opium lidhet pjesërisht me shtimin e prodhimit të opiumit gjatë viteve të fundit në Azinë Juglindore. Por, thekson raporti, shtimi i përdorimit të stimulantëve të tipit amfetaminë ka bërë që të bjerë përdorimi i heroinës nga përdoruesit e regjistruar të drogës.

Në Azinë Juglindore dy të tretat e përdoruesve të opiumit e sigurojnë këtë drogë nga Majnamari dhe Laosi dhe pjesa tjetër nga Afganistani, prodhuesi më i madh i heroinës në botë.

Jeremy Douglas i OKB-së thotë se megjithëse prodhimi i opiumit ka qenë i qëndrueshëm, tregëtia në mbarë rajonin ka vlerën e deri 20 miliardë dollarëve, duke përbërë një kërcënim për sigurinë rajonale. Kjo ndodh ndërsa Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN, po shton përpjekjet për integrimin në ekonominë rajonale.

"Gjendja duhet parë në këtë perspektivë - është si njëlloj shteti i padeklaruar i ASEAN-it, vëllimi i parave nga kjo tregti është po aq i fuqishëm sa ai i disa shteteve të tjera - ka një grumbullim pasurie në duart e grupeve të vogla të njerëzve, me fuqi të jashtëzakonshme, të cilët duket se janë të aftë të operojnë, thuajse pa asnjë pengesë, që prej shumë vitesh."

Në raportin e OKB-së thuhet se nga përpjekjet për integrimin më të madh të rajonit, për përmirësimin e rrugëve dhe infrastrukturës mundet që të përfitojnë grupet kriminale shumëkombëshe, në kushtet kur kontrollet kufitare në disa rajone janë të dobëta. Grupi bën thirrje për programe alternative zhvillimi afatgjatë për kultivuesit e bimës së opiumit.

XS
SM
MD
LG