Një grup i armatosur që ka zaptuar që ditën e shtunë një godinë në një park federal në shtetin e Oregonit thonë se nuk ka ndërmend të largohet. Udhëheqësit e grupit kërkojnë lirimin e dy fermerëve që janë dënuar për vënie zjarri në tokë federale. Ata gjithashtu kërkojnë rikthimin e tokës që thonë se qeveria federale ua ka marrë fermerëve.
Dwight Hammond dhe i biri Steven pranuan se e vunë ata zjarrin, por me qëllimin për të djegur bimësinë parazitare në pronën e tyre dhe se flakët u shtrinë aksidentalisht në tokë federale. Të dy kanë bërë tashmë disa muaj burg për zjarrin, por një gjykatës ka urdhëruar rikthimin e tyre në burg për katër vite të tjera, pasi ka gjykuar se dënimi i mëparshëm ishte i pamjaftueshëm.
“Do të shkoj në burg për 127 hektarë të djegur? Më duket shumë.”
At e bir kanë rënë dakort të rikthehen në burg, por dënimi i tyre ka ngjallur zemërim ndër fermerët në mbarë perëndimin amerikan, të cilët besojnë se qeveria po merr shumë tokë duke kufizuar kështu njerëzit që jetojnë duke punuar tokën.
“Jemi munduar më kot që qeveria ta rishikojë edhe njëherë këtë çështje.”
Fermeri Ammon Bundy dhe vëllai i tij Ryan udhëhoqën rreth 100 veta drejt zaptimit ditën e shtunë të godinës në parkun federal në Malheur të Oregonit. Grupi i armatosur kërkon që qeveria federale t’u kthejë tokën fermerëve vendas.
“Është detyra e njerëzve t’i tregojnë qeverisë vendin që meriton.”
Familja Bundy është përplasur edhe dy vjet më parë me qeverinë federale për të drejtat mbi kullotat. Banorët vendas mbështesin kauzën e fermerëve, por jo veprimin e armatosur.
“Ka kanale që mund të ndiqen. Nuk është i drejtë veprimi i milicisë së armatosur.”
FBI po përpiqet ta zgjidhë konfliktin paqësisht, por autoritetet lokale kanë mbyllur shkollat afër zonës si masë parandaluese.