Lidhje

OSBE nis projekt të ri kundër korrupsionit në Shqipëri


OSBE dhe qeveria shqiptare publikuan sot një nismë të re në mbështetje të masave anti-korrupsion. Projekti 638 mijë euro i financuar nga ministria italiane e punëve të jashtme, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Shkollën Italiane e Administratës Publike, po zbatohet nga janari nga zyra e OSBE-së në Shqipëri. Nisma do të mbështesë zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit. Projekti synon të përmirësojë administratën publike dhe sektorin privat dhe të ndryshojë perceptimin e korrupsionit, veçanërisht mes shoqërisë civile, duke u kushtuar vëmendje të veçantë të rinjve.

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, tha në takim se besimi i qytetarëve duhet rifituar me ndërhyrje të vendosura, që sjellin rezultate konkrete. Drejtuesi i zyrës së BERZH-it, Christoph Denk, tha se programi do ta ndihmojë Shqipërinë të jetë më transparente dhe llogaridhënëse në sektorët publik dhe privat. “Ne po punojmë me qeverinë për të përmirësuar klimën e biznesit, duke u treguar investitorëve se vendi është i përkushtuar ndaj kësaj çështjeje” - tha ai.

OSBE i ka vendosur veprimtaritë kundër korrupsionit në qendër të punës saj në Shqipëri. Drejtuesi i zyrës së OSBE-së, Florian Raunig tha se “qeveria duhet të nxisë një partneritet të vërtetë me shoqërinë civile, median dhe qytetarët kundër korrupsionit. Ata duhet të punojnë së bashku me qeverinë dhe bashkësinë ndërkombëtar për të luftuar korrupsionin” - tha ambasadori Raunig.

Projekti nis të zbatohet në janar me masa për të parandaluar korrupsionin dhe për ta luftuar në institucionet shqiptare. Ekspertët vlerësojnë se nisma do të rrisë kapacitetet e administratës publike kundër korrupsionit në ministrinë e arsimit, mjedisit, ekonomisë, në komunitetin e biznesit dhe shoqërisë civile.

Korrupsioni në Shqipëri vazhdon të mbetet një dukuri shumë e përhapur de perceptimi i qytetarëve per këtë është shumë i lartë. Sipas Transparency International, Shqipëria është vendit i fundit në rajon për gjendjen e korrupsionit, dhe në një renditje të pafavorshme në listën botërore të studimit.

XS
SM
MD
LG