Lidhje

Dënohet ashpër sulmi ndaj Matoshit


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Gazetarët pa Kufi dënuan ashpër sulmin ndaj gazetarit Halil Matoshi të Kohës Ditore nga tre persona të paidentifikuar në Prishtinë.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, Dunja Mijatovic tha se dhuna kundër gazetarëve është sulm kundër lirisë së shprehjes dhe shoqërisë në përgjithësi dhe unë i dënoj me forcë akte të tilla.

Organizata Gazetarët pa Kufi shprehu gjithashtu tronditjen për dhunën e skajshme të sulmit, me anë të një deklarate.

“Vënia në shënjestër e një anëtari të tillë me peshë në median kombëtare, i njohur për kritikat ndaj qeverisë, dërgon një mesazh shumë shqetësues për gjithë gazetarët e Kosovës, i frikëson dhe mund t’i detyrojë të ushtrojnë autocensurë”.

Gazetarët pa Kufi i bën thirrje autoriteteve që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të vendosur personat përgjegjës para drejtësisë. Organizata shton se nuk duhet përjashtuar mundësia që ky sulm të ketë qenë i lidhur me punën e gazetarit Matoshi.

“Do të ishte e paimagjinueshme që një vend që do të futet në Bashkimin Evropian të lejonte pandëshkueshmërinë”.

Zoti Matoshi u sulmua para dy ditësh ndërsa kthehej nga një aktivitet kulturor në qarkun e Dardanisë. Dy nga sulmuesit e goditën atë me grushta dhe shkelma nëdrsa i treti u përpoq disa herë ta godiste me thikë. Ai arriti t’i shmangte goditjet me thikë derisa autorët e sulmit u larguan kur panë se po vinin kalimtarë. Ai njihet për artikujt e tij investigativë dhe kritikat kundër politikanëve dhe zyrtarëve publikë.

Zoti Matoshi është kthyer në shtëpi pasi shkoi në spital për mjekim. Policia thotë se po heton sulmin në përpjekje për të gjetur autorët.
XS
SM
MD
LG