Lidhje

Incident me armë zjarri në parlamentin kanadez


Dhjetëra të shtëna u dëgjuan sot në ndërtesën e parlamentit të Kanadasë në Otava, pasi të paktën një person i armatosur qëlloi një ushtar që qëndronte roje në Memorjalin për Luftën Kombëtare.

Policia tha se një person i armatosur u qëllua për vdekje në ndërtesën e parlamentit.

Policë kanadezë të armatosur rëndë, si dhe makina të blinduara rrethuan ndërtesën në qendër të kryeqytetit kanadez në kërkim të autorëve të incidentit.

Policia e Otavës tha se ka pasur të shtëna edhe në një qendër tregtare pranë parlamentit.

Një zëdhënës i kryeministrit tha se zoti Stephen Harper ishte larguar nga zona dhe ishte në një vend të sigurtë.

Ministri Jason Kenney njoftoi vdekjen e ushtarit roje në memorialin e luftës.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se zyrtarët amerikanë kanë dhënë urdhër që t’u ofrohet ndihmë homologëve kanadezë, ndërkohë që mblidhen të dhëna të reja për incidentin.

Incidenti ndodh dy ditë pasi një person i fesë islame shtypi me makinë dy ushtarë kanadezë, duke vrarë njërin prej tyre pranë Montrealit.

XS
SM
MD
LG