Lidhje

Ish kryeministri Nawaz Sharif fiton zgjedhjet në Pakistan


Politikani konservator që do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Pakistanit tha se kërkon të vazhdojë marrëdhëniet e mira me Shtetete e Bashkuara. Por ai paralajmëroi se Uashingtoni duhet t’i trajtojë me kujdes shqetësimet e Islamabadit për sulmet me avionë pa pilot.

Nawaz Sharif foli me gazetarët sot në Lahore, dy ditë pasi partia e tij Lidhja Myslimane siguroi vende të mjaftueshme për të formuar një qeveri.

Zoti Sharif tha se Islamabadi ka marrëdhënie të mira me Uashingtonin por ai e quajti fushatën amerikane me avionët pa pilot në veriperëndim të Pakistanit, një sfidë për sovranitetin e vendit të tij.

Politikani që ka shërbyer si kryeminstër dy here në vitet 1990 ka qënë kritik i hapur i politikave amerikane që janë thellësisht jo popullore mes pakistanezëve. Programi vë në shënjestër militantë të dyshuar në rajonet fisnore të Pakistanit në kufi me Afganistanin.

Zoti Sharif tha gjithashtu se qeveria e tij e re do të mbështesë tërheqjne amerikane nga Afganistani deri në fund të vitit të ardhshëm.

Pakistanezët janë në kërkim të një qeverie të re me shpresën se ajo do të jetë e aftë t’i zgjidh problemet e mëdha ekonomike dhe të sigurisë në vend.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve kombëtare në Pakistanit nxorrën fitues ish kryeministrin dhe biznesmenin Nawaz Sharif. Të dielën gjendja në kryeqytetin e vendit Islamabad ishte e qetë dhe pritshmëritë për zhvillimin e vendit nga udhëheqja e re janë të mëdha.

Në tregun më të madh në Islamabad kishte një ndjenjë të përgjithshme gëzimi për mbarimin e zgjedhjeve dhe zhvillimin e tyre pa ndonjë incident të madh të dhunshëm. Në përgjithësi rezultati i zgjedhjeve është i pranueshëm për njerëzit. Tani pakistanezët presin që qeveria e re të merret me zgjidhjen e problemeve të mëdha të vendit si vendosjen e rendit, zbatimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

Analisti Raza Rumi thotë se efektshmëria e qeverisë së re do të varet nga koalicionet politike që Nawaz Sharif dhe partia e tij do të jenë në gjendje të ndërtojnë.

“Fitorja e Nawaz Sharifit është shumë e thellë në provincën e tij, por ai ka nevojë për mbështetje nga provinca të tjera më të vogla dhe ai duhet të ndërtojë një konsensus mbi tri çështje kryesore me të cilat ndeshet Pakistani, së pari, ekonomia dhe kriza energjetike, pastaj ekstremizmi dhe militantizmi që kanë prishur paqen në vend dhe së treti, politika ndaj Indisë për të krijuar përfitime tregtare nga fqinjin ynë më i madh”.

Pavarësisht nga dhuna para-zgjedhore pjesëmarrja e votuesve ishte e lartë.

Imran Khan, ish-ylli i kriketit dhe partia e tij Tehreek-e-Insaf ose PTI, hynë në skenën politike për herë të parë gjatë këtyre zgjedhjeve dhe u bënë një faktor i rëndësishëm politik.

Përkrahësit e tij ishin të kënaqur. Waseem Shahzad tha se mesazhi i ndryshimit i zotit Khan i frymëzoi votuesit.

“Imran Khan ka ringjallur besimin e njerëzve se ata mund të sjellin ndryshimin përmes procesit zgjedhor, përmes votës dhe unë mendoj se sot ka fituar populli i Pakistanit e jo Tehreek-e-Insaf”.

Shpresat janë që Nawaz Sharif, që gëzonte mbështetjen e ushtrisë së fuqishme të Pakistanit derisa e sfidoi atë dhe përfundoi në burg, do të shfrytëzojë përvojën të tij të kaluar politike.

Menaxheri i teknologjisë së informacionit, Sohail Minhas është optimist për drejtimin e qeverisë së zotit Sharif.

“Mendoj për një Pakistan më të mirë. E them këtë sepse Navaz Sharif i njeh ndryshimet në rajon. Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga Afganistani, fqinji tjetër Irani është një front tjetër, pastaj edhe fqinji tjetër India ka rëndësi të madhe dhe Navaz Sharif i ka kaluar të gjitha këto. Pra, në qoftë se ai ka mësuar nga përvoja e tij në dhjetë vitet e fundit, unë mendoj se ai duhet të bëhet një kryeministër më i mirë kësaj radhe”.

Duke marrë parasysh pritshmëritë e mëdha, zoti Sharif dhe partia e tij mund të jenë nën presion për të treguar përparim menjëherë pas marrjes së pushtetit.
XS
SM
MD
LG