Lidhje

Pakistan: Të paktën 327 të vdekur nga tërmeti


Zyrtarët në Pakistan thonë se numri i vdekjeve nga një tërmet i fuqishëm që goditi rajonin jugperëndimor të vendit ka arritur në të paktën 327 vetë, pas rrëzimit të mijëra shtëpive prej balte në distriktin malor Awaran në provincën e Baluchistanit.

Qindra të tjerë janë plagosur, ose zhvendosur dhe punonjësit e shpëtimit po përpiqen t’i çojnë ata në spital. Por përpjekjet e tyre janë penguar nga shkatërrimet masive. Zyrtarët thonë se të mbijetuarit në rajonin që është pranë kufirit me Iranin, janë në nevojë të dëshpëruar për tenda, ilaçe dhe ushqime.

Ushtria po dërgon furnizime nga ajri. Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti me fuqi 7,7 ballësh ndodhi rreth 230 kilometra në jugperëndim të qytetit Dalbandin në provincën pakistaneze Baluchistan, që kufizohet me Afganistanin dhe Iranin. Sipas njoftimeve, lëkundjet u ndjenë deri në Nju Delhi.
XS
SM
MD
LG