Lidhje

Kryeministri i Pakistanit vjen në Uashington


Kryeministri i Pakistanit Nawaz Sharif takohet nesër në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Barack Obama. Ky do të jetë takimi i parë mes tyre. Udhëheqësi pakistanez pritet të diskutojë mbi çështjet që kanë shkaktuar fërkime mes Uashingtonit dhe Islamabadit gjatë viteve të fundit.

Takimi mes zotit Obama dhe zotit Sharif vjen në mes të përgatitjeve amerikane për tërheqjen e trupave luftarake nga Afganistani. Uashingtoni pret që Pakistani të luajë një rol konstruktiv, thotë Karl Iderfurth me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare:

“Pakistani ka kontakte të mira në Afganistan dhe mund t’i përdorë ato me qëllime të mira. Bashkëpunimi amerikano-pakistanez jep shpresë më të madhe për arritje pozitive në Afganistan sesa po të punonin të veçuara.”

Pakistani i ka dënuar sulmet amerikane me avionë me telekomandë brenda vendit të tij. Zoti Sharif kërkon ndalimin e tyre. Por zyrtarët amerikanë i konsiderojnë ato si mjete të nevojshme në luftën kundër militantëve të al-Kaidës. Takimi i zotit Sharif në Shtëpinë e Bardhë ofron rastin e parë për trajtimin e drejtpërdrejtë të kësaj çështjeje me zotin Obama, thotë Daniel Markey me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Ka një mundësi këtu. Megjithëse ky president ka përdorur aviona me telekomandë më shumë se të tjerët, numri i objektivave të rendësishëm ka rënë. Ka më pak arsye për t’i përdorur. Po ashtu kemi të bëjmë me një kosto politike në këtë mes.”

Angazhimi i Pakistanit për të ndjekur terroristët pakistanezë për të cilët thuhet se ndërmarrin sulme ndaj trupave të koalicionit në Afganistan, do të jetë në krye të agjendës së vizitës katër ditore të zotit Sharif në Uashington.
XS
SM
MD
LG