Lidhje

Pakistani, rezolutë kundër politikës së Trumpit për Afganistanin


Asambleja Kombëtare e Pakistanit miratoi një rezolutë që dënon fuqishëm politikën e re të Presidentit amerikan Donald Trump për Afganistanin, duke e quajtur atë "armiqësore dhe kërcënuese" ndaj Pakistanit.

Këtë muaj, kur Presidenti Trump bëri publike politikën e tij për Afganistanin, komentet e tij më të ashpra ishin për Pakistanin.

"Ne i kemi paguar miliarda e miliarda dollarë Pakistanit e në të njëjtën kohë ata strehojnë terroristë ndaj të cilëve luftojnë Shtetet e Bashkuara", tha zoti Trump.

Në përgjigje, Asambleja Kombëtare e Pakistanit miratoi të mërkurën një rezolutë duke hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara se Islamabadi duhet të bëjë më shumë për të çrrënjosur terroristët. Duke paraqitur dokumentin, Ministri i Jashtëm i Pakistanit Khwaja Muhammed Asif kundërshtoi fortë pretendimin se Pakistani ka marrë paratë e Shteteve të Bashkuara.

"Asambleja hedh poshtë pretendimin e SHBA-ve se i kanë dhënë Pakistanit miliarda dollarë ndihmë. Në fakt, ekonomia e Pakistanit ka pësuar një humbje prej më shumë se 123 miliardë dollarësh", tha ai.

Nëpërmjet rezolutës i bëhet thirrje qeverisë të marrë në konsideratë shtyrjen e të gjitha vizitave reciproke zyrtare si dhe ndërprerjen e linjave të furnizimit tokësore dhe ajrore të SHBA-së dhe NATO-s, përmes Pakistanit për në Afganistan.

Pakistani u shqetësua veçanërisht nga thirrja e zoti Trump drejtuar Indisë për një rol më të madh në Afganistan.

Zyrtarët pakistanezë frikësohen se India, fqinj i tyre me të cilin kanë mosmarrëveshje, dëshiron të rrethojë vendin e tyre duke ngritur një front të dytë në Afganistan. Por sipas zyrtarëve amerikanë frika e Pakistanit lidhur me Indinë është e ekzagjeruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG