Lidhje

Pakistani duhet të tregohet i sinqertë në marrëdhëniet me SHBA-të


Pakistani duhet të tregohet i sinqertë në marrëdhëniet me SHBA-të
Pakistani duhet të tregohet i sinqertë në marrëdhëniet me SHBA-të

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit janë acaruar së tepërmi gjatë muajve të fundit. Dy ish zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan i thanë Zërit të Amerikës se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar nëpër një periudhë të vështirë sepse Pakistani është përpjekur të përfitojë nga të dyja palët; duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në përpjekjet kundër terrorizmit dhe duke mbajtur lidhje me grupet taliban. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Gary Thomas sjell hollësi.

Në intervista të veçanta, ish dretori i CIA-s, Michael Hayden dhe ish drejtori i zbulimit kombëtar, Dennis Blair thanë se Pakistani po përpiqet të shfrytëzojë grupet talebane për të ruajtur ndikimin e tij në Afganistan.

Zoti Hayden, i cili shërbeu si drejtor i CIA-s në periudhën 2006-2009, thotë se ushtria dhe agjencia më e madhe e zbulimit të Pakistanit, ISI, e kanë shfrytëzuar rrjetin Haqqani, grupin taleban në Vaziristanin verior, për të përfituar.

“Ёshtë mëse e qartë dhe e padiskutueshme që qeveria e Pakistanit, veçanërisht ushtria dhe agjencia ISI, e shikojnë rrjetin Haqqani si armik të Shteteve të Bashkuara, por edhe si mik të Pakistanit. Dhe ky mund të jetë aspekti më shqetësues në marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht pikpamjet e ndryshme rreth këtij rrjeti”.

Rrjeti Haqqani ndoshta shikohet si një prej grupeve talebane më të rrezikshme, pasi ai kryen sulme kundër forcave të NATO duke hyrë në Afganistan nga bazat e tij në sigurta në zonat fisnore të Pakistanit.

Ish drejtori i Zbulimit Kombëtar, Dennis Blair thotë se Pakistani po përfiton nga të dyja palët, ndërsa pritet tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

“Ata janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen të përfitojnë nga ndihmat që marrin nga Uashingtoni, ndërsa kanë parasysh faktin se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen dhe atyre u duhet të mbrojnë interesat e tyre. Dhe këtë atyre u duhet ta bëjnë duke ruajtur kontaktet me sa më shumë palë, si vende edhe grupe të ndryshme terroriste. Përveç kësaj, Pakistani ka një traditë që përpiqet t’i vërë këto grupe ekstreme kundër njeri tjetrit”.

Të dy ish zyrtarët e lartë vlerësojnë deri diku Pakistanin për bashkëpunimin në fushën e kundër terrorizmit. Zoti Hayden thotë se Pakistani ka qënë një partner i fuqishëm dhe se Shtetet e Bashkuara kanë kapur më shumë anëtarë të lartë të al-Kaidës me ndihmën e Pakistanit se sa të ndonjë vendi tjetër.

Por Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Pakistanit që të jetë më agresiv kunër zonave të sigurta për talebanët dhe al-Kaidën. Zoti Blair thotë se Islamabadi ka nguruar ta bëjë këtë.

“Pakistani ka pësuar më shumë sulme terroriste se sa çdo vend tjetër, por pakistanezët ende mendojnë se mund të mbajnë kontakte me shumë grupe, të zgjedhin miqtë e tyre dhe të luftojnë kundër armiqve. Ndërkohë Pakistani nuk kanë marrë vendimin e vështirë për t’i luftuar grupet terroriste kudo qofshin ato dhe cilindo vend që të kërcënojnë, qoftë Pakistanin, Indinë, Shtetet e Bashkuara, Afganistanin apo ndonjë vend tjetër”.

Nga pala pakistaneze, deklaratat zyrtare tregojnë zemërimin lidhur me sulmet amerikane kundër objektivave terroriste në zonat fisnore, praninë e operativëve të zbulimit amerikan në tokën pakistaneze dhe më së fundi operacioni amerikan për vrasjen e Osama bin Ladenit.

Zoti Hayden, ish general i forcave ajrore, thotë se sulmi për vrasjen e bin Ladenit thekson më së miri përkeqësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Islamabadit për një farë kohe.

Fakti që Pakistani nuk u informua më parë rreth këtij sulmi zemëroi zyrtarët pakistanezë. Por zoti Blair, ish admiral i Marinës amerikane, thotë se administrata e presidentit Obama mori vendimin e duhur për të mos informuar pakistanezët për shkak të frikës së nxjerrjes së informacionit.

Analistët mendojnë se zëvëndësuesi i bin-Ladenit, Ayman al-Zawahiri, dhe pasuesit e tij kryesorë fshihen diku në zonat malore të Pakistanit. Sipas një analize të kohëve të fundit nga Qendra e Luftimit të Terrorizmit në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, ekzistojnë marrëdhënie shumë më të ngushta mes al-Kaidës dhe rrjetit Haqqani se sa mendohej në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG