Lidhje

Talebanët vrasin 141 vetë në një shkollë në Pakistan


Presidenti Barak Obama duke reaguar ndaj vrasjeve tha se “duke vënë në shënjestër nxënësit dhe mësuesit me këtë sulm të neveritshëm, terroristët treguan edhe një herë poshtërsinë e tyre”.

Rrethimi i një shkolle në Pakistan nga militantë talebanë mori fund, duke lënë të paktën 141 të vrarë, shumica e tyre nxënës.

Militantë islamikë të veshur me uniforma ushtarake, të cilët kishin lidhur në trup eksplozivë sulmuan ndërtesën e administruar nga ushtria në qytetin veriperëndimor të Peshawarit.

Zëdhënësi i ushtrisë paksitaneze tha në një konferencë shtypi se forcat e sigurisë vranë 7 nga sulmuesit dhe e pastruan shkollën nga eksplozivët.

Përgjegjësinë për masakrën e morën Talebanët e Pakistanit.

Gazetari Hameedullah Khan i tha Zërit të Amerikës, se situata ishte tepër e dhimbshme, ndërsa prindërit shkonin në spital, ku u dërguan shumë nga trupat e fëmijëve.

President i Pakistanit Mamnoon Hussain dhe kryeministri Nawaz Sharif e dënuan sulmin. Zoti Sharif u zotua se qeveria “nuk do të frenohet nga ky sulm barabar do t’i vazhdojë operacionet kundër militantëve”. Kryeministri shpalli tri ditë zie kombëtare

Duke folur të marten në Londër, Sekretari i Shtetit John Kerry i cilësoi vrasjet “një akt terrori, që trondit thellë të gjithë njerëzit me ndërgjegje.”

Presidenti Barak Obama duke reaguar ndaj vrasjeve tha se “duke vënë në shënjestër nxënësit dhe mësuesit me këtë sulm të neveritshëm, terroristët treguan edhe një herë poshtërsinë e tyre”. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Pakistanitnë luftën kundër terrorizmit.

Një mësues tha se sulmi ndodhi derisa nxënësit po u nënshtroheshin provimeve.

Zëdhënësi i talebanëve, Muhammad Umar Khorasani, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se grupi i tij është përgjegjës për sulmin.

Sulmuesit tanë vetëvrasës hynë në shkollë. Ata ishin të udhëzuar të mos lëndojnë fëmijët, por personelin ushtarak” tha ai. “Kjo është hakmarrje ndaj ofensivës ushtarake në Waziristanin verior” tha ai, duke ju referuar një ofensive ndaj grupit të tij që kishte filluar në qershor.

Rajoni ka shërbyer si një bazë e stërvitjeje për kryengritësit pakistanezë dhe afganë që janë përgjegjës për sulme terroriste në të dyja anët e kufirit, kryesisht të pambrojtur.

XS
SM
MD
LG