Lidhje

Palestinezët: Paqja është e paarritshme, pa eliminimin e vendbanimeve hebraike


Ndër sfidat më të mëdha të negociatave me ndërmjetësim amerikan ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve janë mospajtimet lidhur me më shumë se 100 vendbanime izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor. Palestinezët thonë se këto vendbanime ua bëjnë të pamundur të kenë një shtet me një territor të pashkëputur dhe kanë kërcënuar se do t’i braktisin negociatat nëse Izraeli nuk e zgjat moratoriumin që pritet të skadojë më 26 shtator. Banorët palestinezë të zonës përreth Hebronit, ku regjistrohen përleshje të shpeshta mes dy grupeve, duan më shumë se thjesht një ngrirje të ndërtimeve. Ata kërkojnë një zhvendosje të plotë të vendbanimeve:

Ky është rituali i çdo mëngjesi për Bader Mohamed Xhabarin, familja e të cilit prej disa brezash ka jetuar pranë venbanimi hebraik Kiryat Arba.
Kufizimet izraelite të sigurisë ia kanë bërë të pamundur të sjellë makinën para banesës, prandaj ai detyrohet t’i sjellë ushqimet dhe karburantin vetë në shtëpi: “Ka shumë pengesa. Kur të duhet të sjellësh materiale në shtëpi, sidomos natën, apo kur duhet të dërgosh një fëmijë në spital. Problemet nuk pushojnë nga agimi në muzg”.

Xhabari jeton në zonën e Hebronit në anën tjetër të rrugës që të çon në vendbanimin Kiryat Arba.
Ai është në vijën e frontit në konfliktin mes palestinezëve që jetojnë këtu prej qindra vjetësh dhe kolonëve hebrenj që kanë ngritur vendbanime gjatë dekadave të fundit.

Zona e Hebronit ka parë përleshje të shpeshta mes dy grupeve. Ushtarët izraelitë thonë se kufizimet që nuk lejojnë futjen e makinave palestineze janë rezultat i sulmeve të banorëve arabë kundër kolonëve hebrenj dhe ushtarëve izraelitë që i mbrojnë ata.
Për zotin Xhabari dhe banorët e tjerë, patrullat izraelite të sigurisë nënkuptojnë provokime dhe vuajtje të përditshme.
Kur zoti Xhabari po fliste me gazetarin, një roje e vendbanimit izraelit ndërpreu intervistën dhe kërkoi të shihte letërnjoftimin:

Roja jep një identitet të rremë si polic i vijës kufitare. Më pas, shefi i tij mohoi që roja të ishte identifikuar si polic. Ai tha se personeli i sigurisë kërkon shpesh të shohë letërnjoftimet e atyre që jetojnë brenda dhe jashtë vendbanimit dhe që përfaqësojnë rrezik për kolonët.

Bader Mohamed Xhabari thotë se ai nuk i ka kërcënuar kurrë kolonët. Ai shpjegon se ka kërkuar disa herë leje nga autoritetet izraelite për të parkuar makinën para banesës, por i është mohuar. Zoti Xhabari thotë se prania e kolonëve këtu e bën paqen të paarritshme:
“Ata nuk mendojnë për të jetuar në paqe, prandaj edhe të tjerët nuk mund të mendojnë për të jetuar në paqe me ta. Zgjidhja është që kolonët të kthehen në Izrael dhe ne të jetojmë në territorin e Autoritetit Palestinez. Pra duhet të ketë një ndarje”.

Për momentin, ai do të vazhdojë të jetojë me kufizimet e vendosura nga Izraeli.
Ai thotë se shpresa e vetme për negociatat e reja është që udhëheqja palestineze të mos tërhiqet nga kërkesa për eliminimin e vendbanimeve hebraike.

XS
SM
MD
LG