Lidhje

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer në Shkup


Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer po qëndron në Shkup ku po takohet me zyrarë të lartë shtetërorë dhe politikë. Zoti Palmer shkoi në Shkup në një kohë kur u shtuan debatet lidhur me ndryshimin përmes kushtetutës të emrit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE u përpoq të pengonte procedurat.

Gjatë një takimi me ministrin e jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov, zyrtari amerikan ka theksuar mbështetjen e SHBA-së për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë. Ministri maqedonas, siç njofton kabineti i tij, ka theksuar se qytetarët e Republikës së Maqedonisë, e shikojnë të ardhmen e vendit të tyre në familjen euro-atlantike, ndërkohë që ka theksuar shpresat për ecurinë me sukses drejt këtyre integrimeve.

Takim Palmer-Ahmeti
Takim Palmer-Ahmeti

​Zoti Palmer është takuar me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka theksuar “përkushtimin konstruktiv të partisë në javët në vijim deri në rrumbullakësim të procesit për integrimin e vendit në NATO dhe BE”, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e z. Ahmeti.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e Lëvizjes Besa e të Aleancës për Shqiptarët.

Matthew Palmer do të takojë shefin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovskin e VMRO-DPMNE-së. Para pak ditësh, Ndihmës Sekretari Wess Mitchell i shkruante z. Mickovski me tone kritike për kërcënimet që partia e tij u bënte deputetëve të saj për të mos votuar pro ndryshimeve kushtetuese lidhur me emrin e ri të Maqedonisë.

Zoti Palmer do të takohet pasdite edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe më pas së bashku do të zhvillojnë në një konferencë për gazetarë.

Ndërkohë, Ministri maqedonas i Punëve të brendshme, Oliver Spasovski ka njoftuar të hënën se të gjithë deputetët opozitarë maqedonas të cilët votuan pro propozimit për ndryshimin e kushtetutës janë marrë në mbrojtje nga policia dhe se kërcënimet e shantazhet ndaj tyre do të ndëshkohen.

Parlamenti i Maqedonisë e votoi të premten me dy të tretat nga 120 deputetë sa ka gjithsej propozimin për ndryshimet kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Tash, qeveria duhet t’ia dorzojë parlamentit projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e ri të vendit, që do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriur, sipas marrëveshjes me Greqinë. Këto ndryshime kushtetuese përsëri do të duhet të miratohen me shumnicën e kualifikuar prej dy të tretave të votave në parlament. Sipas parashikimeve kjo do të ndodhë në janarin e 2019-s por ka gjasa që të bëhet edhe më herët.

Edhe parlamenti grek duhet ta ratifikojë marrëveshjen (e Prespës) pasi të gjitha procedurat të jënë miratuar nga parlamenti në Shkup.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG