Lidhje

Dorëheqja e Papës


Papa Benedict XVI dha dorëheqjen, duke i hapur kështu rrugën Kolegjit të Kardinalëve të fillojnë procesin e zgjedhjes së një Papë të ri. Në materialin në vazhdim, korrespondenti i Zërit të Amerikës në Washington, Andre de Nesnera, i hedh një vështrim disa dorëheqjeve të mëparshme, përfshirë një Papë, i cili mund të ketë luajtur rol në vendimin e Benediktit për dorëheqje.

Ekspertë papalë thonë se rreth 10 Papë kanë dhënë dorëheqjen në historinë e Kishës Katolike Romane. Para Benediktit, ishte Papa Gregori XII, i cili u largua nga posti 600 vjet më parë.

Historiani i Kishës, Chris Belitto, në Universitetin Kean në Union të New Jersey-it, thotë se dorëheqja e Papës në atë kohë ishte kriza më e madhe institucionale e Kishës Katolike, e ashtuquajtura “Përçarja e Perëndimit të Madh”, kur kishte tre papë: Gregory në Romë, një tjetër në Avignon të Francës dhe një Papë të tretë, i cili duhej të udhëtonte nëpër Italinë e veriut.

“Dhe nuk ishin vetëm tre papë, por edhe tre papate, tre kolegje kardinalësh. Një këshill, i quajtur Këshilli i Costancës e zgjidhi problemin, duke shkarkuar dy nga papët. Atëhere, Gregory XII, ra në mënyrë metaforike, sepse ai ndoshta kishte pretendimin më të mire ligjor, por ai e dinte se kur shkarkohen dy dhe mbetet vetëm njëri prej tre papëve, kjo nuk do të funksiononte. Prandaj, ai dha dorëheqjen dhe ra dakord që nuk do të ishte kandidat për papën e ri.”

Analistët thonë se Papa më i njohur që dha dorëheqjen vullnetarisht ishte Clestine V, i cili në shekullin e 13-të, para se të bëhej Papë, jetonte i vetmuar në Italinë qendrore.

Profesori i teologjisë George Ferzoco i Universitetit Bristol në Angli thotë se ajo ishte një zgjedhje kompromisi, përsa kohë që asnjë nga kardinalët nuk mund të binte

“Do të ketë qenë diçka tepër interesante, ai do të ketë parë mbretin Napolit dhe shpurën e tyre, krahas me disa nga kardinalët, që gjithashtu sillnin me vete shpurat e tyre. Të gjithë ata kanë shkuar nëpër shpatet deri tek vendi ku ai jetonte i vetmuar, dhe e kanë befasuar atë, duke i thënë: ti je Papa i ardhshëm. Kjo është e paparë në historinë e Papatit.”

Por profesori Ferzoco thotë se mandati papal i Celestinit të V-të nuk zgjati shumë.

“Ai u zgjodh Papë në korrikun e vitit 1294 dhe në dhjetor të atij viti ai ishte i ndërgjegjshëm se, së pari po bënte një punë të vështirë dhe së dyti ai urrente çdo sekondë të jetës së tij si Papë - dhe kjo ishte tepër e rëndësishme për të. Prandaj, ai miratoi një ligj, sipas të cilit një Papë mund të jepte dorëheqjen në rrethana të caktuara dhe që të nesërmen e miratimit të ligjit, ai dha dorëheqjen. Ishte 13 dhjetori i vitit 1294”.

Profesori Ferzoco thotë se 18 muajt e fundit të jetës së tij Celestine ishte nën arrest shtëpie në kështjellën e Papës pasardhës të tij. Ai vdiq në 19 mars të vitit 1296 dhe trupi tij gjendet në një arkivol xhami në kishën e qytetit L’Aquila.

Më tepër se 700 vjet më pas, në prill të vitit 2009, Papa Benedikti vizitoi L’Aquilan, që u godit nga një tërmet shkatërrimtar. George Ferzoco thotë se Benedikti vizitoi arkivolin e Celestines, që nuk ishte dëmtuar aspak nga tërmeti.

“Pasi u lut për disa kohë para arkivolit me trupin e Celestines, Benedikti bëri një gjest tepër simbolik, duke dhënë në shenjë për atë që ai mund të ketë patur në mendje: hoqi një lloj shalli të madh që mban Papa rreth qafës, të njohur si “manteli”. Manteli është një nga simbolet e fuqisë së Papës. Pasi hoqi mantelin, Benedikti e vendosi atë mbi arkivolin me trupin e Celestines dhe e la atë atje.”

Profesori Ferzoco thotë se studjuesit nuk i kushtuan rëndësinë e duhur kësaj shenje të pagabueshme.

“Ky veprim ishte një shenjë e dukshme dhe brenda rreth një viti, Benedikti e vizitoi dy herë arkivolin e Celestines. Në se ai nuk e kishte marrë ende vendimin e dorëheqjes në atë kohë, vizita, sigurisht që ishte një pikënisje për të. Dhe ndoshta nuk është koincidencë, që Benedikti dha dorëheqjen thuajse në moshën e njëjtë me Celestinen.”

Papa Bendikti do të mbajë titullin “Papa Emeritus”. Për disa muaj ai do të banojë në rezidencën papale Gandolfo, në jug të Romës. Pastaj ai do të vendoset tek një vilë brenda Vatikanit, e cila po përgatitet për Banediktin.
XS
SM
MD
LG