Lidhje

Inaugurohet Papa Françesku


Papa Françesku inauguroi papatin e tij sot me një fjalim ku bëri thirrje për mbrojtjen e më të dobëtve në shoqëri dhe mjedisit, duke thënë se përndryshe do të hapej rruga për vdekje dhe shkatërrim. Turma të mëdha u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për të parë Papën e Ri të jepte meshën e parë si At i Shenjtë, mes një vale shprese për rigjallërimin e Kishës Katolike të goditur nga skandalet.

Pasi doli në Sheshin e Shën Pjetrit për herë të parë me automobilin e posaçëm të Papës, Papa Françesku u lut tek varri i Shën Pjetrit në Bazilikatë për disa çaste qetësi para se të përshëndeste turmën në shesh.

Deri tani ish-kardinali i Buenos Airesit Jorge Bergoglio ka ngjallur entuziazëm të madh dhe interes në botën katolike me sjelljen modeste pasi mori postin.

Ati i Shenjtë dukej i emocionuar kur mori unazën papale nga Kardinali Angelo Sodano. Unaza e zgjedhur prej tij është prej argjendi, e larë me ar dhe tregon Shën Pjetrin duke mbajtur çelësat.

Duke folur para turmës ku kishte krerë shteti, dhe figura kryesore fetare, Papa Françesku bëri thirrje për të mbështetur më të dobëtit në shoqëri.

“Do të thotë të respektojmë të gjitha krijesat e zotit dhe të respektojmë mjedisin ku jetojmë. Do të thotë të mbrojmë njerëzit, të tregojmë shqetësim për të gjithë, veçanërisht fëmijët, të moshuarit, ata në nevojë, që janë të fundit për të cilët ne mendojmë”.

Papa Françesku e zgjodhi emrin për nder të Shën Françeskut të Asizit, biri i një familjeje të pasur që ia kushtoi jetën shërbimit për të vobektët.
XS
SM
MD
LG